www.besimdemaku.page.tl

FEJA ISLAME ESHTE JET

Edukata me Allahun

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit 

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Gjëja e parë që kërkon edukata me Allahun është që të jesh i çiltër në adhurimin e Tij, si dhe ta pastrosh këtë adhurim nga çdo gjë e cila e prish apo dëmton atë, si shirku ashtu dhe hipokrizia. Për këtë Allahu thotë: “Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër vetëm që ta adhuronin Allahun me një adhurim të çiltër.” Gjithashtu në një ajet tjetër thotë: “Kush shpreson në takimin e Zotit të tij, le të punojë punë të mira dhe të mos adhurojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.”

Sinqeriteti e nxit besimtarin që të zbatojë urdhrat e Allahut dhe të ndalohet nga gjërat që ka ndaluar Ai. Allahu e përshkruan bindjen e besimtarit ndaj Tij duke thënë: “Ata thanë: -Ne dëgjuam dhe u bindëm. Ne kërkojmë faljen tënde. Zoti ynë tek Ti është kthimi.”

Kryerja në mënyrë të vazhdueshme e adhurimeve, veçanërisht e namazit, e rrit frikën, përkushtimin dhe nënshtrimin ndaj Allahut të lartësuar. Për këtë Allahu ka thënë: “Me të vërtetë namazi të parandalon nga veprat e shëmtuara dhe të ulëta.” Kurse në një ajet tjetër thotë: “Vërtet që tashmë kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përkushtuar në faljen e namazit.” Kur zemra e muslimanit e ndjen frikën e qëndrimit para Allahut, atëherë ajo shfaqet në gjymtyrët, punët dhe jetën e tij derisa bëhet mirënjohës ndaj Allahut për begatitë e Tij.

Begatitë, mirësitë e Allahut ndaj njeriut janë të shumta e për çdonjërin prej tyre duhet të jemi mirënjohës ndaj Allahut. Gjuha është një begati e mirënjohja për këtë begati është që ajo të madhërojë e lavdërojë Allahun. Fëmija është dhuratë e Allahut dhe falënderimi për të është edukimi i tij në Islam. Po kështu, mund të flisnim për mirësjelljen ndaj prindërve, për mësimin e Kuranit e shembuj të tjerë të ngjashëm.

Pra, mirësitë e Allahut janë të pafundme, çka kërkojnë prej nesh të jemi mirënjohës. Allahu i lartësuar thotë: “Sikur t’i numëronit begatitë e Allahut nuk do të mund të arrini t’i përcaktonit.” Me gjithë mirësitë e panumërta, muslimani nuk mund të shpëtojë dot nga caktimi dhe sprovat e Allahut. Por edhe këto sprova ai mund t’i kthejë në mirësi, vetëm se me disa kushte: duke bërë durim, duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut dhe duke shpresuar shpërblim nga këto fatkeqësi.

Për këtë Profeti, alejhi selam, thotë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. E gjithë çështja e tij është mirësi dhe kjo është vetëm për besimtarin. Nëse i vjen ndonjë e mirë, atëherë ai e falënderon Allahun dhe kjo është mirësi për të dhe nëse i vjen ndonjë e keqe atëherë ai duron dhe përsëri kjo është mirësi për të.”

Në qoftë se besimtari vazhdon kështu, atëherë do të bëhet i turpshëm ndaj Allahut dhe do të futet në radhën e atyre njerëzve që Allahu i gjen aty ku i urdhëron e i humbet aty ku i ndalon. Kjo është përmendur në një hadith që e transmeton Abdullah ibn Mesudi i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, tha: “Kini turp prej Allahut me një turp të sinqertë!” I thamë: “Ne e kemi turp Allahun, falënderimi i qoftë Atij.” Tha: “Nuk është kjo ajo që kërkoj, por ai që i turpërohet Allahut me një turp të sinqertë, le të ruajë kokën dhe çka ka në të, le të ruajë barkun e çka ka në të dhe le të kujtojë vdekjen dhe pluhurosjen e tij në varr. Kush kërkon botën tjetër, i lë (braktis) bukuritë e kësaj bote. Dhe ai që i vepron këto, turpërohet vërtetë nga Allahu.”

Kur besimtari bën ndonjë gjynah, ai duhet të shpejtojë të pendohet me dëshirë dhe frikë, duke mos i humbur shpresat nga mëshira e Allahut, sepse mëshira e Tij ka përfshirë gjithçka. Për këtë Allahu thotë: “Thuaj: -O robërit e mi që i keni kaluar caqet kundër vetes (duke kryer ligësi e gjynahe, mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet që Allahu fal të gjitha gjynahet. Vërtet që Ai është gjithnjë Falës i madh, Mëshirëplotë.” Zumer, 53.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free