Nena dhe edukimi i femijut
Gruaja, kjo qenie të cilën Zoti e ka krijuar për të qenë mbi të gjitha nënë. Në të gjitha krijesat e gjalla që Ai ka krijuar funksionin kryesor që ajo kryen është të qenit nënë. Edhe pse bota e gjallesave të tjera është shumë e ndryshme nga ajo e njeriut, përsëri ky funksion i rëndësishme jetësor ngelet i njëjtë.
Të mbartësh për nëntë muaj në bark një njeri, duke e ushqyer atë nga gjaku, mishi dhe trupi yt, duke prishur rehatinë dhe përkeqësuar shëndetin është një stërmundim që vetëm gratë e pranojnë. Ta lindësh atë duke duruar dhimbjet e mëdha dhe rrezikuar shpesh edhe jetën, është një sfidë që vetëm gratë përballen me të. Ta ushqesh fëmijën, ta lashë atë, ta veshësh dhe të kujdesesh për të sa herë që ai ka nevojë, është një lodhje që vetëm gratë nëna e durojnë. Ta rrisësh dhe ta edukosh fëmijën derisa të bëhet i aftë për vetveten, është një sakrificë e vështirë që vetëm gratë nëna e ofrojnë. T’i falësh fëmijës dashuri, dhembshuri, ngrohtësi dhe mëshirë gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, të vështirë dhe sfilitës, është një mrekulli që vetëm gratë nëna mund ta bëjnë... Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gruas në shtëpinë e burrit i duhet të jetë edhe amvisë që mirëmban dhe kujdeset për të pa marrë asnjë rrogë për këtë shërbim.
Nëse do të kërkoje në botë dikë që të gjitha këto t’i bënte kundrejt një pagese, edhe nëse do të paguaje me miliona, vështirë se do të gjeje një njeri që do t’i bënte të gjitha këto së bashku, ashtu siç i bën gruaja nënë. Edhe nëse do të gjeje një njeri të tillë, ajo çka do të bënte ai nuk do të ishte për shkak të parasë, sepse nuk ka para që t’i blejë të gjitha këto gjëra së bashku, por për shkak të një ndjenje përgjegjësie që nuk e ka burimin te paraja.
Të gjitha këto së bashku, më mirë se kushdo tjetër i bën gruaja nënë pa asnjë pagesë, për fëmijët, pasardhësit dhe burrin e saj. Kështu pra shërbimi i nënës nuk ka të paguar, as rroga e babait dhe as gjithë pasuria e tij nuk mundet ta paguajnë këtë hyzmet që ajo bën. Edhe pse jetojmë në kohën ku mendohet se çdo gjë mund të blihet dhe shitet me para, mes të tjerash edhe ky shërbim, ajo çfarë bën gruaja nënë është shumë më e shtrenjtë se çdo paradhe, praktikisht, nuk vlerësohet dot vetëm me të holla.
Pikërisht për të gjitha këto, sipas fesë islame, kompensimi që i detyrohet fëmija nënës së tij është tre herë më i madh se për babanë. Ndaj kush thotë se të mirat materiale që burri i siguron familjes së tij, kanë më tepër duk dhe më shumë vlerë sesa puna e papaguar dhe gjoja e paduk e gruas nënë në shtëpi, absolutisht që e ka gabim. Së pari kjo është një vështrim tejet materialist i familjes, që i vlerëson marrëdhëniet familjare burrë - grua -fëmijë vetëm me vlerën e dukshmërisë materiale dhe parasë. E dyta, edhe nëse ky shërbim do të paguhej, faktikisht, vlera e tij do të ishte shumë më madhe sesa paguhen në realitet shërbyeset që e bëjnë këtë punë për të holla. Kështu pra, puna e gruas nënë në shtëpi ka një kosto dhe vlerë edhe ekonomike mjaft të madhe, krahas asaj shpirtërore, edukative dhe emocionale që nuk vlerësohet dot me të holla. Pra ajo mbart krahas të tjerash edhe një peshë financiare për familjen dhe shoqërinë dhe u kursen atyre miliarda. Dhe natyrisht pikërisht për këtë shërbim kaq të madh që nuk vlerësohet në para ajo më shumë se për to ka nevojë për respekt, për durim dhe përkujdesje, sidomos nga ata për të cilët ajo është e gatshme të sakrifikojë edhe jetën e saj.
Vlerësimi vetëm material dhe kryesisht i tillë është një vlerë –nëse mund të quhet e tillë- të cilën njerëzimi e ka adoptuar në masë të madhe vetëm në epokën moderne. Madje edhe fama, prestigji individual dhe etja për të bërë diçka, që të shihet dhe vlerësohet nga sa më shumë njerëz, është produkt i egos materialiste që epoka moderne ua ushqen njerëzve me të gjithë përbërësit e saj të veçantë. Dhe absolutisht që të prekurit nga pasojat negative të modernitetit janë edhe burrat edhe gratë, njëlloj.
Periudha e revolucionit industrial në shek. XIX dhe nevoja për krah të lirë pune, sidomos në kohë krizash dhe lufte, i shtyu sipërmarrësit kapitalistë që të punësonin me shumicë gra e fëmijë të rritur në fushën e prodhimit, duke qenë se ata mund ta bënin punën njëlloj dhe mund të paguheshin më pak, duke shfrytëzuar natyrisht nevojën ata që kishin për të holla. Orët e gjata që prindërit, apo edhe vëllezërit dhe motrat e rritur kalonin në punë, krijonin problemin për kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël, që nuk mund të liheshin të vetëm në shtëpi. Kështu p.sh. në Britaninë e Madhe më 1816 Robert Oëen, pronari i një manifakture pambuku, qe ndër të parët që ideoi dhe praktikoi si zgjidhje për punëtorët e biznesit të tij një kopsht fëmijësh. Natyrisht me rritjen dhe shtrirjen e revolucionit industrial edhe në pjesët e tjera të botës do të përhapeshin edhe idetë dhe praktikat që shoqëronin dhe mbështesin këtë revolucion.
Edhe pse kjo është diçka e njohur për një pjesë të njerëzve, është e nevojshme të përmendet për të sqaruar se si fillesë nuk qe nevoja e edukimit dhe shoqërizimit të fëmijëve, ajo që i shpiku çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve, sepse fëmijëve nuk u mungonin këto gjëra, por qe nevoja e revolucionit industrial për të siguruar sa më shumë krah të lirë pune, ai që nxori gruan nënë nga shtëpia dhe çoi fëmijët të rriteshin dhe edukoheshin jashtë gjirit të familjes nga të tjerët. Sot natyrisht janë gjetur edhe mjaft arsye të tjera që përligjin vazhdimësinë e edukimit të fëmijëve jashtë familjes, por në thelb revolucioni industrial mbetet ai që nxori për herë të parë gruan nga puna “e papaguar” e shtëpisë në punët me mëditje jashtë saj. Që ky proces të ndodhte edhe në shoqëritë tradicionale, duhej që të ndryshonte mentaliteti i njerëzve. Natyrisht këtë nuk mund ta bënte vetëm nevoja materiale e njerëzve, pasi kultura dhe zakonet shpesh janë aq të fuqishme saqë paradigma marksiste se njeriu motivohet vetëm nga realiteti dhe interesi material praktikisht në këtë rast nuk vlen. Pra, nevojitej propaganda dhe përhapja e ideologjive të reja. Kështu pra –krahas shkaqeve dhe arsyeve të tjera- lindi edhe i ashtuquajturi emancipim i gruas, që natyrisht shfrytëzoi për efekt propagande emocionale dhe racionale mjaft mirë problemet që kishin shoqëritë tradicionale në lidhje me trajtimin e grave. Sa për amplifikimin dhe fryrjen e tyre nuk ia vlen të zgjatemi, sepse kjo shihet edhe sot, nga sulmet që i bëhen shpesh shoqërive tradicionale islame ose jo nëpër botë si të prapambetura dhe të dhunshme! Sot emancipimi i gruas është kthyer në një aspiratë dhe ideal që e ka humbur lidhjen me premisat dhe kushtet fillestare kur ai lindi dhe është bërë pjesë e një ideali tjetër që njihet si të drejtat e njeriut apo ideali i barazisë gjinore në çdo gjë.
Në shoqëritë materialiste, qofshin këto socialiste apo kapitaliste, e sidomos në këto të sotmet konsumersite, ku lumturia e njeriut vlerësohet dhe edukohet vetëm dhe kryesisht tek mirëqenia ekonomike, gruaja nënë ashtu si edhe burri është vegël pune dhe mjet për të siguruar këtë mirëqenie. Por jo vetëm kaq, arritja individuale e një njeriu, në mentalitetin e sotëm, nuk vlerësohet ajo që ai bën për fëmijët, bashkëshortin dhe familjen e tij, kjo është shumë pak (!), por çfarë ai bën në radhë të parë vetëm për veten e tij dhe në radhë të dytë çfarë ai bën për shoqërinë në përgjithësi edhe pse për familjen e tij mund të bëj shumë pak ose asgjë. Nëse sheh sot më shumë njerëz sesa dikur të mos kujdesen për prindërit e tyre, ose edhe për vëllezërit dhe motrat, edhe mes besimtarëve, kjo padyshim që është pasojë e modernitetit, e mbi të gjitha e edukimit të mangët ose mungesës së tij. Nëse një brez i tërë njerëzish që është rritur dhe edukuar deri dje nëpër çerdhe dhe kopshte dhe sot është tërë kohën i preokupuar me rendjen pas parasë, punës apo edhe pasionit dhe argëtimit, nuk është aspak e habitshme pse gjen me shumicë mes tyre të mos kujdesen dhe interesohen për prindërit apo të afërmit e tyre. Ata që edukohen “në gjirin e shoqërisë” më shumë se në gjirin e familjes, nuk kanë sesi t’i përkushtohen asaj më shumë seç kanë marrë prej saj. Sa të marrësh aq edhe do të japësh, ky ligj rrallë gjen përjashtime.
Kështu pra edukimi i fëmijëve të sotëm ka marrë këtë rrugë, ai është një edukim që çuditërisht mund të ofrohet dhe blihet me para, në kopshte apo jashtë tij. Kështu që nëse lumturia dhe kënaqësia në këtë botë për çdo individ qëndron tek mirëqenia materiale dhe lidhet me të, atëherë të kthehesh tek format e shoqërive tradicionale të dikurshme, që e konsideronin dhe e edukonin si të pavolitshme daljen e gruas nga shtëpia dhe edukimin e fëmijëve jashtë saj, është diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut! Apo për disa edhe ndryshe, pengesë që devijon apo frenon progresin e evolucionit shoqëror të njerëzimit! Për ku? Padyshim drejt utopisë së parajsës tokësore!
T’i kundërvihesh këtyre pasojave negative të modernitetit në mënyrë radikale dhe të menjëhershme, jo vetëm që është e pamundur, por edhe me rrjedhoja negative për vetë njerëzit dhe komunitetin që i ndërmerr të tilla iniciativa. Por, të ndryshosh për mirë qoftë edhe për një kohë të gjatë nuk është asnjëherë e pamundur. Ajo për të cilën ne kemi nevojë fillimisht, është t’ia nisim së paku nga rritja dhe edukimi tradicional i fëmijëve, në gjirin e familjes, ku me dashuri, dhembshuri dhe durim krahas kujdesit trupor dhe shëndetësor për ta duhet t’i kushtohet më tepër rëndësi edhe formimit të tyre shpirtëror, mendor dhe intelektual, dhe këtë përgjegjësi tepër të madhe askush më mirë se prindërit dhe gruaja nënë nuk mund ta kryejnë. Ky nuk është kthim tek të ashtuquajturat forma të shtypjes dhe skllavërisë së gruas, por kthim tek vlerat e besimit, tek natyrshmëria që Zoti e ka krijuar njeriun. Edhe pse dihet që një proces i tillë nuk është aspak i lehtë dhe i shkurtër, ai është një hap i domosdoshëm për ndryshimin e gjendjes aspak të kënaqshme ku ndodhemi sot ne si shoqëri.