Hytbja e Bajramit te Fitrit
Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi, Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi dhe Atij i takojnë falënderimet. Falënderimi i takon Allahut. Kë e ngre Ai nuk ka kush e ul, ndërsa atë që e ul nuk mund ta ngrejë askush. Qenia e Tij është ngritur e lartësuar mbi krijesat. I ka krijuar krijesat e Tij në formën që dëshironte dhe i ka përsosur ato. Prej tij shpresohet e gjithë mirësia, dhe nga Ai pritet bujaria. E falënderoj Allahun për gjithë të mirat e panumërta që na ka dhuruar, i jam mirënjohës Atij për rrebeshin e begative të tij të shumëllojshme.
Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, i vetëm dhe i pa shok, i cili i ka bërë bajramet festat e të bindurve dhe ditë gëzimi për adhuruesit. Po ashtu dëshmoj se Profeti ynë Muhamedi, është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, profet i mëshirës dhe udhëzimit dhe det i bujarisë e fisnikërisë. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij që ishin si hëna ndriçuese dhe flamuj udhëzimi.
Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi, Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi dhe Atij i takojnë falënderimet.
Të nderuar muslimanë! Feja islame është ndërtuar në baza dhe themele të paluajtshme. Kjo është një fe nga Zoti ynë, mblidhen në të dispozitat e Sheriatit me simbole të pastra dhe duke balancuar urdhëresat e ndalesat.
Kjo është një fe e plotë, gjithëpërfshirëse e cila thërret logjikën dhe i drejtohet krijesave të jenë të frikësuara e njëherësh të shpresojnë tek Zoti i tyre i cili është një i vetëm.
Islami, është feja e cila e ka mbledhur në vetveten e saj vërtetësinë, në një stil që përmban fjalë dhe sqarime, e cila është e zhveshur nga kotësitë dhe koklavitjet. Ajo është udhëzim i sigurt ku nuk ka vend për eksperimente në të cilat ka suksese dhe humje. Islami është rruga e vërtetë e cila e ruan njerëzimin nga gabimet dhe pengesat.
Islami ndërtohet nga dispozita, në të cilat nuk bie në kundërshtim teksti i vërtetë me logjikën e shëndoshë, nuk bie ndesh shpallja e qartë me mentalitetin e shëndoshë. Bindja e pastër dhe besimi në Allahun, është esenca dhe baza e të gjitha vlerave, është freri i shthurjes, buzëqeshja e durimit ndaj vështirësive, drita e shpresës dhe qetësia e shpirtit.
Burimi i kësaj feje është libri i udhëzimit, përmbledhësi i të gjitha sjelljeve të duhura njerëzore. Çdo gjë që të afron tek Allahu është sqaruar tek ai, e edhe ato që të largojnë prej tij janë sqaruar. Kurani është libër të cilit nuk i vjen e kota as nga para e as nga mbrapa. Lumturia e vërtetë nuk mund të arrihet vetëm se nëpërmjet besimit të vërtetë, dritës së Islamit dhe lidhjes së ngushtë me Allahun. Besim ky i cili e shoqëron njeriun në çdo aspekt të jetës, ndaj çdokush që ka mangësi në këtë besim, do të luhatet nga rruga e drejtë, e do të zbehet përqendrimi i tij, do ta rrëmbejnë tufanet e pasionit e do ta ndrydhin shfaqet e epshit.
Namazi në fenë Islame ka një pozitë të lartë, ajo është shtylla e kësaj feje dhe amaneti i muslimanëve. Me anë të saj arrihet rregullimi i të gjitha fjalëve dhe veprave, është obliguar në vendin më të lart e më të nderuar. Kryerja e saj është dritë në fytyrë e në zemër, e pastron zemrën, i fshin gjynahet, sjell rizkun dhe bereqetin. Allahu i madhëruar thotë:
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. Taha, 132.
I ka treguar të gjitha mirësitë e saj në një fjalë të vetme:
“Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar”. El Ankebut, 45.
Vërtet nga fatkeqësitë më të mëdha është lënia e namazit, kush e lë namazin, dënimi për të do të jetë i madh dhe dhimbja e brenga e tij do të jetë e vazhdueshme. Pas lënies së tij, zor se ngelet diçka nga Islami atij që ka humbur dhe e ka lënë namazin.
Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi, Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi dhe Atij i takojnë falënderimet.
Fitimi i drejtë dhe pasuria e pastër shkakton rregullimin e fesë dhe ruajtjen e nderit, ndaj përpiquni, o ju muslimanë, që të hani vetëm nga ajo që është hallall, dhe mos e shpenzoni pasurinë vetëm se për të tilla. Një njeri i mirë ka thënë: “Nëse do të kryeje adhurim ndaj Allahut duke qëndruar në këmbë si shtylla, nuk do t’i bëjë dobi përderisa nuk e di se me se ushqehet.”
Ngrënia e haramit e verbon ndërgjegjen, largon bereqetin, sjell përçarje dhe zënka, si dhe e pengon pranimin e lutjes. Vërtet Allahu pranon lutjen e atyre që janë të devotshëm.
Le të jenë shpirtrat tuaj bamirës me atë që ju është dhuruar, le të dhurojnë duart tuaja me fisnikëri, sepse kush jep sot pa padyshim do të marrë shumë nesër. Aliu –Allahu qoftë i kënaqur me të- ka thënë: “Atij që i janë shtuar mirësitë e Allahut, padyshim që nevojat e njerëzve për të do të shtohen, nëse e shlyen të drejtën e Allahut në atë që i ka dhuruar, patjetër që do t’i shtohet dhe do t’i qëndrojë; por nëse nuk e shlyen të drejtën e Allahut atëherë ajo do të pakësohet e do të largohet. Allahu i Madhëruar thotë:
“(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: ‘Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia’.” El Ibrahim, 7.
Ai i cili është udhëzuar për të dhënë le të dhurojë me fytyrë të qeshur dhe vendet më të mira janë ato shtëpi në të cilat ka jetim.
O ju muslimanë! Familja e çdonjërit prej jush janë njerëzit për të cilët duhet të kujdeset më shumë. Dijeni se lidhjet farefisnore janë shkak për jetëgjatësi, pasurim dhe begati, gëzim dhe harmoni. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet jeta dhe rrësku, le të kujdeset për farefisin”. Buhari.
I afërmi yt është një pjesë e jotja, nëse tregohesh bamirës ndaj tij je treguar bamirës ndaj vetes, e nëse tregohesh koprrac, dije se ke bërë koprraci për veten. Gjëja më e paktë që mund të bësh në raste pamundësie, është buzëqeshja dhe fjala e mirë si dhe t’i falësh gabimet e tyre, sepse falja e gabimit është nga virtytet e të lartëve. Bëje festën e sotme pikënisje për t’u kujdesur për ta; duke i vizituar apo duke pyetur për gjendjen e tyre me anë të telefonatave e të ngjashme me to.
Allahu më begatoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kuranin e Madhëruar, na bëftë dobi prej ajeteve dhe urtësisë së tij, i kërkoj Allahut falje për vete e ju dhe ju kërkoni falje sepse Ai është falës i madh.
II
Falënderimi i takon Allahut për mirësitë që na ka dhuruar, i jemi mirënjohës Atij që na ka dhënë sukses e na ka udhëzuar. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, qenia e të cilit është e madhëruar, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kiametit.
O ju muslimanë! Zbukurojeni festën tuaj me tekbire, bëni që të hyjë gëzimi në familjet tuaja; le të jetë gëzimi juaj në Bajram i shoqëruar me frikë ndaj Allahut. Mos i shpenzoni pasuritë tuaja në këtë ditë në të ndaluara. Aliu –Allahu qoftë i kënaqur prej tij-, ka thënë: “Çdo ditë në të cilën nuk e kundërshtojmë Allahun, është bajram për ne”.
Ja dhe Bajrami na erdhi si një mik i nderuar
Me bojën e urimeve tek ju të jetë i shkruar
Madhërojeni Allahun me lëvdata në festën tuaj
T’ju dhurojë lumturinë që kurrë s’ka për të mbaruar
O ju gra muslimane! Nga falënderimi dhe mirënjohja që mund t’i bëni ju Allahut është dhe stolisja me edukatën islame, thoni fjalë të mira dhe mos u zbuloni si zbulesa e injorancës. Faleni namazin, jepeni zekatin, binduni Allahut dhe të Dërguarit, ruajini nderet tuaja e vishuni si i ka hije një gruaje muslimane. Lexojeni librin e Allahut e jepni lëmoshë e sadaka sado e pakët qoftë ajo, sepse nuk ka dyshim që shpërblimin e tyre do ta gjeni atë ditë ku nuk bën dobi pasuria e as fëmijët.
Robër të Allahut! Dita e Bajramit është festë për besimtarët e besimtaret, për shkak të punëve të mira që punuan, për këtë ata janë sot të gëzuar dhe nuk ka dyshim se ky gëzim do të vazhdojë të jetë i pranishëm tek ata përderisa vazhdojnë të jenë si në Ramazan, sepse në të kundërtën do të jenë sikurse ai i cili ndërton me një dorë e prish me tjetrën. Kështu që punoni si në Ramazan, adhurojeni Allahun dhe lërini gjynahet, pasojeni këtë agjërim me gjashtë ditë nga muaji sheual, sepse kështu është si të agjërosh gjithë kohën.