Shqipetaret ne Kroaci
Një bashkësi që ka luftuar shumë dhe ka fituar pak. Rreth 35 mijë shqiptarë jetojnë në Kroaci.Ata kanë dhënë ndihmesë të madhe në çlirimin e vendit. Rreth 3000 luftëtarë shqiptarë kanë marrë pjesë në luftën e Kroacisë për të mposhtur agresionin serb të prirë nga ushtria e dirigjuar nga Beogradi. Sot ata janë të ndarë në taborë të ndryshëm politikë dhe nuk kanë asnjë përfaqësues në Parlamentin kroat.
Në Zagreb, në rrugën kryesore Ilica vërehet prania e hershme e shqiptarëve në këtë qytet. Mbishkrimet e disa dyqaneve të shumta të shqiptarëve bëjnë me dije se jo pak zejtarë shqiptarë erdhën në kryeqytetin kroat në fillim të shekullit 20-të. Një argjendari dallohet me logon Bashota, ndërsa në xhamin e një furre buke me shkronja të vogla mban emrin e një shqiptari. Shqiptarët e Kroacisë përbëjnë njërën prej diasporave më të vjetra në këtë shtet të ri. Në bregdetin e këtij vendi shqiptarët kanë filluar të vendosen gjatë mesjetës së hershme, para vdekjes së Skënderbeut. Gjurmët e shqiptarëve edhe sot gjenden në rrethinën e Zarës, më saktësisht në Arbanas. Njëri prej shkencëtarëve më të njohur të kësaj treve është ilirologu Aleksandër Stipçeviç. Në një tubim me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, Stipçeviç kishte folur në gjuhën shqipe mbi figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve. Përveç Stipçeviçit, edhe një personalitet tjetër në Kroaci ka prejardhje arbanase. Ai quhet Bozhidar Kallmeta dhe aktualisht është ministër i detit, turizmit, transportit dhe zhvillimit. Kallmeta ka qenë me vite prefekt i qytetit të Zarës dhe njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të gjeneralit të arratisur Ante Gotovina. Gjatë kohës kur Kallmeta sundonte Zarën kishte ndodhur një incident mes tij dhe presidentit kroat Stipe Mesiç, i cili kishte refuzuar ta takojë prefektin, nëse ky nuk e heq nga tavolina portretin e Gotovinës. Kallmeta nuk e kishte hequr.
Komandantë me merita
Numri i shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme kohore është vështirë të evoluohet. Por, ajo çfarë shihet është suksesi i tyre ekonomik, si dhe kontributi i madh që kanë dhënë në sferën kulturore dhe politike të kësaj hapësire që sot njihet me emrin Kroaci. Shqiptarët e Kroacisë me mburrje numërojnë emra të shumtë të personaliteteve të njohura që kanë dalë nga mesi i tyre dhe kanë arritur famë në këtë vend. Aktualisht në Republikën e Kroacisë jetojnë diku rreth 35 mijë shqiptarë. Ata rrjedhin nga të gjitha trevat shqiptare jashtë Shqipërisë: nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Nga vitet tetëdhjetë e deri me pavarësnë dhe përfundimin e luftës, numri i shqiptarëve në këtë shtet ka qenë më i madh. Duke llogaritur numrin e atyre që kanë pasur punë dhe vendbanim të përkohshëm, shifra ka arritur deri në 120 mijë. Me shkatërrimin e tregut të punës dhe fuqisë financiare është zvogëluar edhe prania e shqiptarëve në këtë vend. Si faktor shtesë, që ka zvogëluar këtë numër janë edhe problemet që kanë paraqitur organet zyrtare kroate rreth marrjes së shtetësisë, e cila, sipas shumë shqiptarëve, ka qenë një politikë e padrejtë dhe restriktive që është bërë ndaj tyre.
Në Zagreb shqiptarët flasin me krenari për suksesin e tyre në Kroaci. Biseda e tyre më së shumti ndalet te ngjarjet që kanë ndodhur gjatë 15 viteve të fundit. Tema e luftës dhe roli i tyre në çlirimin e Kroacisë janë të pashmangshme. Shqiptarët kanë qenë të përfshirë në dy luftëra. Në luftën e vendit ku jetojnë (Kroacisë) dhe në atë të Kosovës, të cilën e mbajnë në zemër si vendin e tyre. Disa dhjetëra shqiptarë janë sakrifikuar në luftë kundër agresionit serb. Sipas shënimeve të Bashkësisë Shqiptare në Zagreb, vetëm në Vukovar kanë humbur jetën 8 civilë shqiptarë dhe 18 të tjerë në uniformë të ushtrisë dhe policisë kroate. Diku mbi tre mijë shqiptarë kanë qenë të mobilizuar në forcat e armatosura kroate dhe kanë luftuar në të gjitha viset ku janë zhvilluar konfliktet e armatosura. Sipas po këtyre shënimeve, 1 300 shqiptarë të Kroacisë kanë marrë pjesë edhe në luftën e Kosovës. Në mesin e tyre tetë oficer të lartë që më parë kanë shërbyer në Kroaci. Njëri prej tyre është edhe gjeneral Agim Çeku, sot komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Një tjetër oficer, gjenerali Rrahim Ademi, nga kroatët konsiderohet si njëri prej udhëheqësve me meritorë ushtarakë për çlirimin e vendit. Ademi është akuzuar nga Gjyqi i Hagës për krime lufte dhe, për dallim nga Gotovina, ai ka bashkëpunuar plotësisht me prokurorinë e Tribunalit. Presidenti Mesiç ka ditur ta çmojë sjelljen e Ademit dhe bashkë me qeverinë kanë dhënë në Hagë të gjitha garancitë e mundshme, kështu që Tribunali ka vendosur që gjeneralin me prejardhje nga Kosova ta lërë në liri derisa të fillojë procesi. Mediat në Zagreb kanë njoftuar se ka gjasa të mëdha që Tribunali i Hagës t’ia dorëzojë aktakuzën kundër Ademit gjyqësisë kroate për shqyrtim. Momentalisht, Rrahim Ademi jeton në arrest shtëpiak në Shibenik, qytet të cilin e ka mbrojtur gjatë luftës nga sulmuesit serbë. Shqiptarët janë të bindur se gjenerali Ademi është sakrifikuar nga udhëheqësit kroat, për llogaritë e tyre shtetërore dhe politike.
Pakica e pestë
Shqiptarët në Kroaci duken të paorganizuar, si në të gjitha diasporat e sotme shqiptare në botë. Periudha e jetës politike pas vdekjes së Franjo Tuxhmanit dhe largimit të partisë së tij HDZ nga pushteti (në vitet 2000-2003) mesa duket i ka vetëdijesuar shqiptarët, të cilët nuk e fshehin pakënaqësinë në lidhje me organizim e tyre politik. Anton Kaçinari, një argjendar i stolive me gurë të çmueshëm dhe i pasionuar pas dokumenteve dhe botimeve të vjetra për shqiptarët, nuk e fsheh zemërimin me organizimin dhe aktivitetin politik që bëjnë veprimtarët shqiptarë në këtë shtet. Asnjëherë nuk kemi qenë më keq të organizuar. Në Parlament na përfaqëson një boshnjak, thotë Kaçinari, i cili mbledhjen e botimeve të vjetra për jetën dhe veprën e Skënderbeut e ka shndërruar në një hobi.
Ton Marku është kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Kroaci. Zyrat e kësaj bashkësie gjenden në qendër të Zagrebit. Aty janë edhe zyrat e Partisë Socialdemokrate, e cila tani gjendet në opozitë. Përballë zyrave të Bashkësisë Shqiptare kanë përfaqësitë e tyre edhe grupacione të tjera politike. Në të njëjtin kat është edhe korrespondentura e revistës së famshme kroate Feral Tribune, e cila botohet në Split. Shpenzimet e mirëmbajtjes së zyrës së Bashkësisë Shqiptare dhe aktivitetet i mbulon buxheti shtetëror i Kroacisë. Kjo zyrë nxjerr një fletushkë mujore dhe deri tani ka botuar disa libra me përmbajtje dhe cilësi të lakmueshme. Ton Marku këtë organizimin e cilëson si të suksesshëm. Shqiptarët janë pakica e pestë në Kroaci. Në Zyrën e Pakicave kemi një përfaqësues, thotë Marku. Ai flet për një marrëveshje që është bërë para zgjedhjeve të fundit (vjeshtë 2003) në mes të Bashkësisë Shqiptare dhe HDZ-së. Nga biseda mësojmë se shqiptarët nuk kanë fituar shumë nga kjo marrëveshje. Përkundër premtimeve ata nuk janë të përfaqësuar as në Sabor (parlament) as në institucione të tjera ashtu siç do t’i përgjigjej numrit të tyre.
Një organizim shkel e shko i shqiptarëve është bërë para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Me numrin e votuesve që disponojnë shqiptarët kanë mundur të zgjedhin një bashkëkombës të tyre në organin legjislativ të Kroacisë. Por, nuk ka ndodhur kështu për shkak të ndasive dhe ata kanë votuar në tri taborë. Pasi nuk kanë arritur të merren vesh, kanë paraqitur dy kandidatë shqiptarë që sipas ligjit do të zgjidheshin në mënyrën e paraparë për pakicat. Në anën tjetër Bashkësia Shqiptare ka bërë marrëveshje tjetër me HDZ-në. Duke votuar për tri mundësi, kanë mbetur pa asnjërën. Tani interesat e shqiptarëve dhe të pakicave tjera në Parlamentin kroat i përfaqëson boshnjaku Shemso Tankoviç.
Daut Dauti, Enver Robelli
Shekulli 04/04/2005