Obligimet ndaj Allahut te lartesuar
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Obligimi më i madh dhe më i rëndësishëm është obligimi ndaj Zotit të Lartësuar, Krijuesit të madh, Sunduesit, Mbikëqyrësit të të gjitha punëve, Cili gjithçka e ka krijuar në formën më të përsosur dhe për të mirën e njeriut. Të ka krijuar dhe të ka rritur me mirësi, të ka ofruar të mira e të ka dhënën mendjen, të kuptuarit, të dëgjuarit e njëherazi të ka mundësuar të kesh dobi prej tyre. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” Nahl, 78.
E sikur t’i ndalonte këto të mira të Tij, vetëm sa për një të mbyllur të syve, jeta juaj do të merrte fund, ose sikur ta ndërpriste mëshirën e Tij ndaj jush vetëm për një moment, ju nuk do të jetonit.
E nëse kjo është mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj nesh, atëherë, kuptohet qartë, se obligimi ynë më i madh ndaj Allahut është që ta njohim për Zot , si Krijuesin tonë, si qëllim kryesor që është krijuar njeriu në këtë botë. Allahu i Lartësuar nuk kërkon tjetër veçse ta adhurojmë atë, si të vetmin Zot, duke mos i bërë shok (shirk). Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as s’dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është Furnizues i madh. Ai, Fuqiforti.” Dharijat, 56-58.
Prej këtij ajeti kuptohet se Allahu i Lartësuar nuk kërkon prej nesh që ta furnizojmë Atë, por dëshiron që të jemi robër, adhurues të Tij, në të gjithë pikëpamjet e adhurimit, t’i zbatojmë të gjitha urdhrat e Tij, të ndalohemi prej të gjitha gjërave që na i ka ndaluar, ta ndjejmë veten se jemi krijesa të dobëta e të ulëta.
Ne po shohim se të mirat e Tij janë të shtrira rreth nesh. Ato janë begati që ne vetëm i shfrytëzojmë pa dhënë për to asgjë, qoftë trupore apo natyrore e, pas të gjitha këtyre, a mund të ngurtësohemi e mos të falënderojmë?!
Kur njerëzit na bëjnë ndonjë të mirë, ne do të jemi të shqetësuar derisa t’i falënderojmë e t’ua shpërblejmë, kurse kthimin e shpinës do ta quanim marrëzi.
Por nga kush e kanë burimin të gjitha të mirat që kemi?
“Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngrini zërin (me lutje).” Nahl, 53.
Pastaj, kjo detyrë të cilën Allahu e ka bërë obligim ndaj njeriut, është e lehtë dhe pa vështirësi, siç e dokumenton ajeti i Kuranit: “Luftoni me një luftë të denjë për hir të Allahut, se Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai edhe më parë, e edhe ky (Kuran) ju quajti muslimanë, e për të qenë i dërguari dëshmitar juaji dhe për të qenë ju dëshmitarë ndaj njerëzve, pra falni rregullisht namazin, jepni zeqatin, përmbahuni me Allahun se Ai është ndihmëtari juaj. Sa mrojtës i mirë dhe sa ndihmëtarë i madh që është!” Haxh, 78.
Obligimi zbatohet me besim të vërtetë e të denjë, që është ngritur e themeluar në dashurinë e Allahut dhe madhërimin e Tij. E fryt i këtij besimi është monoteizmi, apo besimi në një Zot, i cili në radhë të parë përveç pranimit të Allahut si Zot të vetëm që meriton të adhurohet dhe të Muhamedit si të dërguar të fundit të Tij, zbatohet siç vijon:
Falja çdo ditë e pesë kohëve të namazit
Kush fal namazin, Allahu i Lartësuar ia fal gjynahet, ia shton shpërblimet, ia rregullon punët dhe e ruan nga çdo të keqe. Namazin muslimani e ka detyrë ta falë gjithsesi, nuk bën ta lërë atë kurrsesi, në asnjë kohë, pa marrë parasysh se është i shëndoshë apo i sëmurë, në shtëpi apo në rrugë dhe ai e fal atë sipas mundësisë, në këmbë, ulur, shtrirë. Allahu i Lartësuar në Kuran Thotë: “Ruajuni prej dënimit të Allahut aq sa keni mundësi (zbatoni urdhrat e tij sipas mundësisë)” Tegabun, 16.
Gjithashtu, sipas një hadithi, i Dërguari -alejhi selam- i thotë një shoku të vet, Imran bin Husejnit, që ishte i sëmurë: “Falu në këmbë dhe nëse nuk mundesh falu ulur dhe nëse nuk mundesh edhe ulur, falu shtrirë.” Shënuar nga Buhariu.
Zekati
Zekati është dhënia e një pjese të pasurisë për nevojat e muslimanëve, si të varfërve, udhëtarëve, të paaftëve për punë e të tjerëve që e meritojnë marrjen e tij.
Agjërimi i Ramazanit
Ramazani është obligim për çdo mysliman që është në moshë të rritur, në gjendje të shëndoshë mendore dhe që nuk është ën udhëtim. Ai që ështëi sëmurë ose duke udhëtuar lejohet që mos të agjërojë, por e ka detyrim që t’i zëvendësojë ato ditë pas Ramazanit. Ai që nuk mund të agjërojë për shkak të ndonjë sëmundjeje të pashërueshme, ushqen një të varfër për çdo ditë, ose jep për çdo ditë nga një sadakatul fitër.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “...Kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme…” Bekare, 185.
Haxhi
Haxhi është vizita e Qabes një herë në jetë për atë që ka mundësi.
Pra, këto janë shtyllat kryesore e themelore të Islamit, përkatësisht edhe obligimet ndaj Allahut të Lartësuar. Obligimet e tjera jashtë këtyre që i përmendëm janë obligime për atë që ka mundësi t’i kryejë, si p.sh.: xhihadi apo lufta për në rrugën e Allahut të Lartësuar.
Vëlla musliman, ne shohim se ky është obligim që kryhet me pak lodhje e shpërblimi për të është i madh. Ai të bën të jetosh me Zotin tënd, d.m.th.: me përkushtim ndaj Tij. Ky obligim është për në këtë botë, kurse në atë të përjetshmen do të jetë lumturi që nuk njeh dëshpërim, lumturi që s’do të ketë të sosur. Aty janë kopshtet që kanë çdo lloj fruti, aty janë lumenjtë që s’kanë të shterur, aty janë të gjitha ato që s’i ka parë syri e as s’i ka dëgjuar veshi, por çfarë t’i bëjmë kësaj bote mashtruese që ka gënjyer shumë njerëz. Të dëgjojmë fjalët e Allahut të Lartësuar: “E kush shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” Ali Imran, 185.