Netet e Bekuara
Nata e madhe e Kadrit, nata më e vlefshme e vitit
Lejletu’l-Kadri (Nata e Kadrit) është pika më kulminante e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë natë zbriti Kur’ani Kerimi, Libri i fundit i Allahut të Madhërishëm tek Pejgamberi i Tij i fundit, Muhammedi s.a.v.s., i cili Libër është udhëzim për njerëzimin. Kur’ani Kerimi e përshkruan këtë natë kështu:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kur’an, El-Kadr: 1-5)
Nata e Kadrit është natë e lumturisë shpirtërore. Transmetohet nga i Dërguari ynë i dashur s.a.v.s. të ketë thënë lidhur me Ramazanin:
“Vërtet ky muaj erdhi tek ju; dhe brenda tij gjendet një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Secili që privohet nga ajo, privohet nga çdo e mirë; dhe askush nuk privohet nga mirësia e saj, përveç personit tërësisht të pafat.” (Ibni Maxhe)
“Secili që ngrihet (për namaz) në Natën e Kadrit nga besimi dhe me shpresë për shpërblim, do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” (Tergib)
Më e mirë se një mijë muaj
Një mijë muaj janë ekujvalentë me 83 vite e katër muaj. Vërtet fatlum është personi që këtë natë e kalon në namaz. Secili musliman ose muslimane që falet të tërë natën gjatë Natës së Kadrit, do ta meritojë bekimin dhe shpërblimin sikur të jetë falur vazhdimisht për një periudhë kohore prej 84 vitesh e katër muaj. Meqë Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj, askush në të vërtet nuk mund ta masë se sa vlerë ka ajo.
Ekskluzive
Pejgamberi i bekuar, Muhammedi s.a.v.s., ka thënë:
“Allahu xh.sh. Natën e Kadrit ia ka dhuruar Ummetit tim. Asnjë populli më përpara nuk i është dhënë ajo.” (Dur-Mensur)
Se si manifestohet dhe shtrihet bujaria dhe mëshira e veçantë e Allahut xh.sh. mbi këtë Ummet është vërtetë përtej imagjinatës. Andaj, do të ishte jashtëzakonisht qesharake që të lejojmë veten të privohemi nga këto bekime të mëdha nga shkaku i përtacisë dhe disa orëve gjum ekstra.
Cila natë është ajo?
Megjithëse ekzistojnë raporte të ndryshme në tradita të ndryshme lidhur me atë se kur është kjo natë saktësisht, është pothuajse unanime ajo se kjo natë e bekuar bie në njërën nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe me gjasë të madhe në netët tekë nga to, pra, nata 21, 23, 25, 27 ose 29.
Megjithatë, mendimi më i njohur është në favor të natës së 27 të Ramazanit, por sigurisht që kjo nuk është e sigurt në mënyrë absolute. Traditat na bëjnë me dije se ajo duhet të kërkohet në njërën nga dhjetë netët e fundit të muajit të bekuar, gjegjësisht në tri netët e fundit nga to që janë tek (pra, nata e 25, 27 dhe 29 - shën. i përkth.). Prandaj, traditë e Pejgamberit s.a.v.s. dhe e sahabëve r.a. ishte të bënin I’tikaf në xhami gjatë gjithë dhjetë ditëve e netëve të fundit të Ramazanit nën shërbim hyjnor.
Hazreti Aishja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Kërkojeni Natën e Bekuar tek netët tekë nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” (Buhariu)
Hazreti Aishja r.a. transmeton sërish:
“Pyeta: O i Dërguar i Allahut! Më trego nëse e gjej Natën e Kadrit, çfarë duhet të lexoj në të? Pejgamberi s.a.v.s. e këshilloi që të lexonte:
All-llahumme inneke ‘afuvvun tuhibbu’l-afve fa’fu ‘anni!
O Allah! Ti je Falës, Ti e do faljen, andaj më fal mua!” (Buhariu)
Pra, vëmendje të veçantë duhet kushtuar leximit të shumtë të kësaj du’aje gjatë kësaj nate të bekuar. Për më tepër, mund t’i përkushtohemi namazit të natës, pra duke i zgjatur reqatet e tij, leximit të Kur’anit, du’ave, dhikreve të ndryshme, etj.
Adhurimi dhe të ndejurit zgjuar gjatë Natës së Kadrit janë trajtim për shpirtin. Zemra priret të shkrihet nën lotët e mirënjohjes së përzemërt. Trupi është në një ekstazë engjëllore. Shpirti përpiqet që të arrijë sa më afër Allahut të Lartmadhërishëm. Pra, le ta kërkojmë dhe shfrytëzojmë këtë natë të bekuar të këtij muaji të bekuar. Allahu xh.sh. na dhuroftë begati, mëshirë, falje dhe na takoftë në xhennetet e Tija të mrekullueshme, Amin!
Nata e shejte e Beratit:
Vëllezër muslimanë!
Po na afrohet edhe një sihariq-prurës i muajit të shenjtë Ramazan, kjo është nata e shenjtë e Beratit, e cila na kallëzon me gjuhën e vet se, dy javë pas saj, ka për të ardhur muaji i shpresës sonë, Ramazani.
Sa lumturi e madhe që është sikur të dihet rëndësia e kohëve të tilla e t’u çmohet vlera e tyre; në rast të kundërt nuk ka se si të fitohet asgjë veçse ia mbërritëm edhe një nate tjetër të shenjtë, vetëm pse shpëtuam nga thonjtë e vdekjes dhe do të ndodhemi edhe në këtë Ramazan.
Nuk përfitohet gjë, zotërinj, vetëm me të ngrënë gjithfarë ëmbëlsirash të këtij muaji, përderisa njeriut të mos i çilen sytë e zemrës edhe në të tilla raste të shënuara.
Fitim të madh për ne do të kishte vetëm po të hiqnim dorë e të largoheshim prej veseve të këqija e dokeve të liga, siç jemi mësuar mjerisht të punojmë gjithë kohën tjetër të vitit, po ta mësonim e ta udhëhiqnim veten kurdoherë ne sjellje të mira e në vepra të pëlqyeshme.
Njeriu, kur të mos vijë pak në vete dhe në të tilla raste të shënueshme, kur të mos përfitojë diçka nga shenjtëria e kohëve të tilla – duke u mbushur plot me ndjenja besnikërie ndaj të gjitha sendeve të urdhëruara nga ana e fesë për besim e veprim, – si të vijë e të kalojë ky muaj i shenjtë, do të jetë prapë një lojë (për të), meqenëse një njeri i tillë s’ka për të kuptuar gjë prej gjëje. Pra, edhe në qoftë se e kupton se ndodhet në muajin e Ramazanit, ç’dobi do të ketë kur secili të vazhdoj (përsëri) po ashtu siç ka vepruar tërë vitin.
Prandaj, vëllezër të dashur, duhet ta dimë se tash ndodhemi mu në kohën e përgatitjes e të zgjimit tonë prej gjumit e apatisë dhe pakujdesisë që na ka mbuluar.
Duhet, pra, të mos rrimë symbyllur e me zemër të fjetur para këtyre kohëve, posi ato pemët që u është tharë sythi dhe s’kanë më ku të lëshojnë piptha e të përtërihen prapë.
Ta fshijmë e ta pastrojmë pak a shumë ndryshkun e zemrës sonë, zënë prej veprave djallëzore, me të cilat jemi duke u marrë natë e ditë; ta përmbajmë pak veten e të pendohemi për ato që kemi vepruar, duke iu lutur Zotit që, për nder të tilla rasteve, të shkojë furçën e faljes e të mëshirës së Tij, krahas gjithë të metave që kemi mundur të kemi punuar.
Të mendojmë pak se ç’sende janë të dobishme për t’i punuar, t’i kapim e të mos tërhiqemi kurrë prej tyre. Sa të na vijë për dore, të mos kursehemi duke punuar vepra të mira e të pëlqyeshme.
Të vrapojmë sa të mundemi e t’ua zgjatim dorën e ndihmës të varfërve dhe fatkëqijve. Gjërat për të cilat ka nevojë Atdheu, shteti dhe populli*, t’i kemi kurdoherë para syve tanë; të mbajmë parasysh brengën e gajlen e Atdheut e të shtetit porsi një brengë tonën dhe të përpiqemi t’ia heqim ato.
Të mos i lëmë të qeta këmbë e dorë, po të punojmë sa të jetë e mundur dhe sa të jemi gjallë në këtë jetë, për të siguruar jetën tonë.
Të përfitojmë, zotërinj, prej rastesh të tilla e të bëjmë ç’të jetë e mundur për plotësimin e gjithë atyre që u thanë më sipër, pa ndier askurrë lodhje as mërzi, sepse përmbushja e këtyre detyrimeve njihet njëjtë si adhurimi ndaj Zotit.
Pra, në të gjitha rastet që kemi vepruar kësodore, zotërinj, të jemi të sigurt se kemi ndrequr e kemi përmirësuar si këtë jetë, ashtu edhe jetën tjetër të pafundme.
Zoti na zgjoftë nga gjumi i gafletit!Amin!
_________________
* Këtu është fjala për kohën kur është shtypur libri (vitin 1932) dhe i atribuohet Mbretërisë Shqiptare.
Nata e ndritur e Miraxhit:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), Pamësi (i punëve të Muhammedit).”( El- Isra, 1)
E njëjta Dritë e Urtësisë dhe së Vërtetës që shkëlqen Natën e Madhërishme të Kadrit (Lejletul-Kadr), natën e Shpalljes së Kur’anit e cila është më e vlefshme se një mijë muaj e ngriti Muhammedin a.s. në lartësitë e Miraxhit. Miraxhi paraqet kulmin e forcës dhe kualiteteve tjera të Muhammedit a.s., udhëtim dhe ngritje kjo e cila nuk i nënshtrohet shqisave fizike, po as edhe matjes kohore dhe gjerësisë hapësinore.
Kuptimi tokësorë i udhëtimit qiellorë të Miraxhit i cili zbret poshtë tek ndjenja fizike, nuk ka dyshim se mjaftë e zbeh domethënien e tij madhështore.
Kuptimi i Miraxhit i përgjigjet ambientit të vet ku ka ndodhur. Ky ambient neve na zbulohet përmes Fjalëve të Zotit- të cilat e komentojnë qëllimin dhe domethënien e Miraxhit- “li nurijehu min ajatina” d.m.th. “për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.”
Kjo d.m.th. është hapësira e Dritës së Zotit- zbulimi Urtësisë dhe të Vërtetës, Hapësira e njohjes shpirtërore të cilën atë Natë të bekuar e arriti Pejgamberi a.s. me mendjen e tij. Nata e errët gjithnjë ka qenë kohë e aktiviteteve shpirtërore, koha më e përshtatshme për meditim, veçanërisht e atyre mendjeve që veprojnë në emër të mëshirës së Zotit. S’do mend se në kësi ambiente dhe në këto momente ata do shihnin Dritën e Vërtet të Zotit, kurse vetëm Allahu i Madhërishëm është Burimi i Dritës së Botëve (Allahu nures-semâvâti el-erdi).
Natyrisht që edhe Nata e Miraxhit, ashtu sikur edhe netët tjera, ka qenë e errët dhe pa diell (në aspektin fizik) për syrin, por për syrin vizionar (shpirtëror) të Muhammedi a.s. ajo ka qenë e mbështjellë me nurin e Zotit, ndaj dhe Pejgamberi a.s. në shenjat e Zotit (li nurijehu min âjâtinâ) qartë e ka parë të Vërtetën dhe ligjet e jetës.
Udhëtimi qiellor (Miraxhi) paraqet ngritjen e Pejgamberit a.s. gjer në zenitin shpirtëror, nga ku i Madhërishmi me rrezet e Urtësisë së Tij ndriçoi shenjat e Rrugës së Vërtetë, si tregues të qartë të argumenteve jetësore të kësaj bote (li nurijehu min âjâtinâ).
Pejgamberi a.s. atë Natë të ndritshme të Miraxhit e ndriçoi mendjen e tij (shpirtin e tij) me Dritën e Zotit dhe si hëna e plotë e reflektoi (përçoi) në botë, gjegjësisht errësirën e xhahilijetit. Ndaj dhe nuk është e rastësishme që gratë medinase hixhretit të Pejgamberit a.s. në Medinë i kënduan me fjalët:
“Agoi hëna katërmbdhjtëshe…!” Shih,ç’krahasim i bukur dhe madhështor!
Kuptimi i drejtë i domethënies së Miraxhit përçon edhe sot në shpirtrat tanë dritën e kuptimit të mësimeve dhe moralit islam. Nëse mendimet tona i begatojmë me kualitetet e të vërtetës, etikës dhe pastrimit moral në përgjithësi, atëherë do ta bëjmë vetveten të aftë që ta vërejmë shkëlqimin e Dritës së Miraxhit dhe ta dëgjojmë jehonën e zërit nga Miraxhi.
Kjo neve sado-kudo do të na shkëput nga jeta tokësore dhe do t’i shuaj e përul pjesët tona fizike dhe do të na ndihmojë që brenda nesh të ndizet qenia fisnike shpirtërore. Kjo neve me mendimet e sinqerta dhe të pastra do të na shpijë shtegut të Miraxhit të lartë të Pejgamberit a.s., shteg ky ku shkëlqyen shenjat e Zotit si udhërrëfyese shpëtimtar
Nata e mire e Ragaibit:Regaib, në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë se kjo është nata e dhuntive, dhuratave, shpërblimeve dhe nxitëse për vepra të mira. Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte dhe të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i tre muajve të mirë.
Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata atëherë bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatije shpirtërore dhe e drejton veten e tij drejt adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.
Në këtë natë hazreti Emineja mendohet që ta ketë kuptuar që është shtatzënë më profetin tonë, Muhammedin, a.s.
Gjithashtu sipas mendimeve të dijetarëve islam, në këtë natë Allahu i Madhëruar, e ka begatuar profetin Muhammed, a.s., me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe profeti ynë i dashur e ka lavdëruar dhe falënderuar Allahun, xh.sh., me lutje, teube dhe namaz.
Allahu në natën e Regaibit u jep muslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar në një hadith të transmetuar nga Enesi, r.a., thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar në natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet e asaj nate i kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera , për rëndësinë e kësaj nate, Profeti Muhammed, s.a.v.s, thotë: “Ai që e vlerëson natën e Xhumasë së parë të muajit Rexhep (nata e Regaibit), Allahu i Madhëruar nuk e dënon në varr.” (Saadet-i Ebedije) “Lutja që bëhet në këtë pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit”. (Ibn Asakir)
Si përfundim themi që kjo natë duhet vlerësuar nga besimtarët me namaz, me lexim të Kur’anit, me teube (pendesë), i dërgohen salavatet Profetit, dita e enjte agjërohet dhe në darkë kryhen adhurime të llojeve të ndryshme, gjithashtu kjo natë kalohet edhe me punë të tjera të dobishme dhe sevapprurëse në fenë tonë. Nuk duhet të harrojmë që lutjet tona të fillojnë dhe të mbarojnë me salavate për profetin, duke ditur që lutja midis dy lutjeve të pranuara tek Zoti, pranohet. [1]
P.S.
Pasi që sonte (16.05.2013) është nata e xhumasë së parë e muajit Rexhep dhe e cila tek ne njihet si nata e Regaibit, vendosëm që për lexuesit tanë të sjellim, së paku, pa ndonjë studim më të thellë të çështjes, disa fjalë rreth kësaj nate dhe vlerës së saj. Gjithashtu, duke e pasur parasysh se tek ne, përfshirë këtu Ballkanin dhe një pjesë të madhe të botës islame, manifestohet në forma të ndryshme dhe akoma rruhet mendimi pozitiv për këtë natë, vendosëm që me disa rreshta të shkurtër të sjellim disa njoftime tërrthorazi dhe të lutemi te i Madhi Zot për bekim dhe mëshirim të mbarë popullit shqiptar dhe tërë botës islame në përgjithësi. (Redaksia)
__________________
[1] Fragment i shkëputur nga libri: Ditët dhe netët e mira në Islam, (2008): Tiranë: Komuniteti Musliman i Shqipërisë, fq. 51.
"Tre muajit" dhe netet e mira:
Jemi duke hyrë në ditët e para të muajit Rexhep ditë këto që për nga vlera dallojnë nga ditët e muajve të tjerë, pos atyre të muajit Shaban dhe Ramazan. Pra janë ditët e njërit nga tre muajt e mëdhenj apo të bekuar, të cilët Allahu i Madhëruar për të mirën e besimtarëve i bëri të bekuar.
Ndërkaq vlera e muajit të Ramazanit, drejtë për së drejti përmendet në Kur’anin Fisnik, duke theksuar se vetë ai u shpall në këtë muaj. Rëndësinë e muajit Rexhep, Shaban dhe Ramazan e tregon edhe fakti se në këto muaj gjenden katër netët e mira: Nata e Regaibit, Nata e Miraxhit, Nata e Beratit dhe Nata e Kadrit.
Muhammedi a.s. në fillim të Muajit Rexhep e ka bërë këtë lutje (dua):
“ O Zot na beko në Rexhep dhe në Shaban dhe na mundëso ta presim Ramazanin!”
Natyrisht gjatë këtyre tre muajve, besimtarët, pos ibadeteve të përditshme, duhet ta shtojnë vëllimin e punëve të dobishme, siç janë dhënia e lëmoshës (sadakasë), zeqatit, agjërimit etj. (sidomos Muhamedi a.s. ka praktikuar agjërimin në muajin Shaban). Kështu ai në një hadithe i përgjigjet Usame ibn Zejdit, i cili shprehu habinë e vet duke vërejtur se i Dërguari a.s. nuk agjëron në asnjë muaj (pos Ramazanit) më së shumti se sa në muajin Shaban:
“ Ky është një muaj që njerëzit e kanë lënë anash edhe pse është në mes të muajit Rexhep dhe Ramazan. Në këtë muaj i shkojnë veprat Zotit të gjithësisë, ndërsa unë më së shumti dua që veprat e mia të dalin para Zotit derisa jam duke agjëruar. “ (transmeton Nesaiu, Ahmedi, dhe Ebu Davudi).
Nata e Regaibit
Nata e Regaibit, gjithnjë bie në natën e xhumasë së parë të Muajit Rexhep. Përndryshe kjo natë njihet për nga ajo që thuhet se e ëma e Pejgamberit a.s. Emineja e ka hetuar veten se është shtatzanë.
Nata e Miraxhit
Nata e Miraxhit bie me 27 natë të muajit Rexhep, natë kjo që e përmend edhe Kur’ani fisnik.:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).”
Pra, në këtë natë, Muhammedi a.s. përjetoi ngritjen më të madhe, dhe nga Allahu i Madhërishëm ka pranuar obligimin për pesë kohët e namazit. Në këtë natë po ashtu, Muhammedi a.s. gjatë kryerjes së Israsë dhe Miraxhit përjetoi dhe kundroi shumë gjëra, të cilat atë e trimëruan në kryerjen e misionit të tij pejgamberik.
Është interesant të përmenden reagimet e mosbesimtarëve dhe besimtarëve, të asaj kohe, kur Muhammedi a.s. u tregoi se brenda nate ka udhëtuar prej Mesxhidu Haramit (Mekë) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), e prej aty në qiejt e lartë. Këtë më së miri na e përshkruan vet Muahmmedi a.s. në hadithin që e transmeton Ahmedi: “ Në natën kur ndodhi Israja, drita më zbardhi në Mekë. Tregova për ngjarjen duke e ditur se për këtë do të mundoheshin të më bëjnë gënjeshtarë. Erdhi Armiku i Allahut, Ebu Xhehli u ul pranë meje, pastaj më tha në mënyrë ngacmuese:
“ A ka ndodhur diçka e re? Po iu përgjigja, çka? – pyeti ai. Jam ngritur- i thash. Ku? Tha ai. Në Bejtul Makdis i thashë. Pastaj kur zbardhi drita agove tek ne tha Ebu Xhehli. “ Po” i përgjigja”. (Kështu Ebu Xhehli i hutuar dëshiron që Muhammedi a.s. këtë t’ua tregoj edhe njerëzve tjerë atë që ia tregoj atij. Dhe i thiri njerëzit e i tha Muammedit a.s. të tregoj. Kur ata e dëgjuan se çka u tha Pejgamberi, të habitur e pyetën atë: “A mund ta përshkruash Mesxhidin sepse në mesin tonë ka të atillë që kanë qenë Jerusalem dhe e kanë parë Mesxhidin?”” Dhe fillova t’ua përshkruaj: – Thotë Muhammedi a.s. “ Në përshkrim nuk munda t’i kujtoja disa hollësi atëherë ma sollën (engjëjt) Mesxhidin dhe e vunë para shtëpisë së Ujkalit; E shikoja dhe e përshkruaja. Pasi përfundova, u ngritën disa e thanë: “ Pasha Allahun, ai e përshkroi në tërësi.”
Në versionin që transmetohet prej Hasanit, thuhet se atë ditë shumë nga ata që e kishin pranuar Islamin, u kthyen në pabesim e disa shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë:
“ A ke dëgjuar se ç’po flet shoku yt? Thotë se mbrëmë ka shkuar në Bejtul Mukaddes, është falur në të, dhe pastaj të njëjtën natë është kthyer në Mekë!” Në këtë Ebu Bekri u përgjigjet: “Nëse e ka thënë këtë, atëherë e ka thënë të vërtetën, dhe ç’keni për tu çuditur për këtë. Pasha Allahun ai më informon se Lajmi (Kur’ani) pjesë pjesë i vjen nga qielli ditën natën dhe unë i besoj, e kjo është më e pamundur se kjo çka çuditeni ju. (….)” nga ky rast Ebu Bekri, nga Muhammedi a.s. e merr emrin “Es- Sidik” (i sinqerti).
Nata e Beratit
Nata e Beratit bie në natën e 15- të të muajit Shaban. Ajo natë na paralajmëron ardhjen e shpejtë të Muajit Ramazan , muajit tonë më të dashur, kështu që sa më mirë duhet të përgatitemi shpirtërisht dhe fizikisht për agjërim dhe ibadete tjera. Se çfarë nate është dhe çfarë rëndësie ka kjo natë më së miri na e përshkruajnë hadithet e Muhammedit a.s. :
“Në natën e 15- të të muajit Shaban të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, për këtë arsyeje unë dëshiroj që veprat e mia të nxirren para Tij deri sa unë agjëroj”. (Nesaiu)
“ Në natën e 15-të të muajit të Shabanit Allahu i Madhërishëm i urdhëron melekut të vdekjes, vdekjen e të gjithë atyre qenieve që duhet të vdesin atë vit”.(Ed-Dinaveri)
“Kur fillon nata e 15-të e muajit Shaban, rrini zgjuar , ndërsa ditën që pason agjëroni”. (ibn Maxhe)
Nata e Kadrit
Nate Kadrit bie në natën e 27-të të muajit Ramazan. Ajo është nata më e vlefshme dhe më e bekuar. Në të filloi të shpallet Kur’ani Fisnik. Një kaptinë e Kur’anit mban emrin e kësaj nate. Vlerën e kësaj natë më së miri ne tregon Kur’ani:
“ Ne e shpallëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit; e ç’të bëri ty të dish se çka është nata e Kadrit ? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj….”
Për vlerën e kësaj nate flasin shumë hadithe të Muhammedit a.s. ai u ka folur sahabëve ditën e fundit të muajit Shaban:
“ O njerëz, u është afruar dhe e ka hedhur hijen e tij dhe freskinë në ju muaji i bekuar i përparimit dhe begatisë, në të cilin është një natë e cila është më e mirë se të gjitha netët në një mijë muaj- muaji i agjërimit, të cilin Allahu e ka bërë obligim, ka urdhëruar që të agjëroni dhe netët e tij ti kaloni në iradet vullnetarisht. “(Ibn Huzejme).
S’ka dyshim se për “tre muajt” dhe netët e bekuara në ta mund të thuhet edhe më shumë. Kjo sidomos vlen për muajin e Ramazanit dhe natën e Kadrit. Kjo që u tha më lartë për ta, ka për qëllim që ti nxis besimtarët që sa më shumë ta shfrytëzojnë pranin e këtyre muajve.
_____________
Botuar në:
Hëna e re, viti IX, nr. 91-92, 1 janar 1995, fq. 23.
Fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr”që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë ë muajit Muharem. Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur profeti Muhamed (a.s) erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.
Ata iu përgjigjën: “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faranit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”. I dërguari Allahut (a.s) u shpreh: “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (a.s)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures (Muslim, Sijam, 128).
Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Hz. Muhamedi (s.a.s) solli një liri për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush te dojë, jo.” ( Buhari, Sami, 57; Muslim, Sijam 117).
Agjërimi në ditën e ashures është sunnet. Veçse profeti ynë i nderuar, për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme. I dërguari i Allahut (a.s) në një thënie të tij thotë: “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures.” (Buhari, Saum69) Ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë: “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të ashures.” (Muslimi; Ebu Davudi). Ndërsa Kutade transmeton se sahabët e kanë pyetur profetin (a.s.) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë: “Agjërimi ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.” (Muslim, Sijam, 196).
Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij në ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin.” (Bejhekiu)
Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e ashures në tre mënyra:
1. Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem;
2. Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji;
3. Agjërimi vetëm në ditën e 10 të këtij muaji.
Dita e Ashures është një ditë e shënuar, duke qenë se përkon me një sërë ngjarjesh të rëndësishme në historinë Islame. Në këtë ditë është pranuar pendesa e Hz. Ademit, është ndaluar në malin Xhud anija e Hz. Nuhut, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Hz. Ibrahimi, është shëruar nga sëmundja e gjatë Hz. Ejubi, ka shpëtuar nga barku i peshkut Hz. Junusi, është ngjitur në qiell Hz. Isai. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni, Allahu e mëshiroftë.
Megjithëse kjo ditë është konceptuar si një qerasje ëmbëlsire, dita e ashures është e rëndësishme për nga vlera shpirtërore që simbolizon dhe atmosfera vëllazërore që sjell.
Duke marr si shkak ditën e Ashures, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin, le të bëhemi pengesë për unin tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame: “Të gjithë muslimanët janë vëllezër.”
_________________
Shkëputur nga Libri: ”Ditët dhe netët e mira në Islam”, KMSH, Tiranë, 2008., 134-136.
Shabani është një prej muajve më të merituar për të cilin posedojmë disa mësime të veçanta nga Suneti i Pejgamberit Muhammed s.a.v.s. Në një hadith autentik transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. e agjëronte shumicën e këtij muaji.
Këto agjërime nuk i kishte të obliguara mirëpo Shabani është muaji i cili i paraprinë muajit Ramazan. Andaj, Pejgamberi i Allahut na i ka sugjeruar disa parapërgatitje. Më poshtë i kemi paraqitur ca prej tyre:
1. Sahabiu i bekuar Enesi r.a. transmeton se e kanë pyetur Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. “Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit?’’ Ai u përgjigj: ‘Agjërimi i Shabanit për nder të Ramazanit.’’
2. Usama ibn Zejdi r.a. transmeton se e ka pyetur Pejgamberin s.a.v.s.: “O Pejgamber i Allahut, të kam parë duke agjëruar në muajin e Shabanit aq shpesh sa nuk të kam parë duke agjëruar në ndonjë muaj tjetër.’’ Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu: ‘Ai (Shabani) është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit që lihet pas dore nga shumë njerëz. Po ashtu është një muaj në të cilin veprat (e njerëzve) paraqiten para Zotit të Universit, andaj, unë dua që veprat e mia të më paraqiten gjatë asaj kohe kur jam duke agjëruar.’’
3. Umul Mu’minin, Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. agjëronte të gjithë muajin Shaban. I thash: ‘O Pejgamber i Allahut, a është Shabani muaji yt më i preferuar për agjërim?’ Ai më tha: ‘Në këtë muaj, Allahu urdhëron të bëhet lista e atyre njerëzve që do të vdesin gjatë kësaj kohe. Prandaj, dua që vdekja të më gjejë derisa jam duke agjëruar.’’
4. Në një hadith tjetër, ajo thotë: “Pejgamberi i Allahut, s.a.v.s. nganjëherë fillonte të agjërojë vazhdimisht sa mendonim se nuk do të ndalet së agjëruari, dhe nganjëherë nuk agjëronte sa mendonim se kurrë nuk do të agjërojë. Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut duke agjëruar një muaj të plotë, përveç muajit të Ramazanit, dhe kurrë nuk e kam parë duke agjëruar më shpesh sesa në muajin Shaban.’’
5. Në në transmetim tjetër ajo thotë: “Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut, të agjërojë në ndonjë muaj aq shumë sa që agjëronte në muajin Shaban. Në këtë muaj agjëronte duke lënë vetëm ca ditë, më saktë, e agjëronte thuajse të gjithë muajin.’’
6. Umul Mu’minin Um Seleme, r.a. thotë: “Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut duke agjëruar për dy muaj rresht sesa në muajin e Shabanit dhe Ramazanit.”
Këto hadithe tregojnë se agjërimi në muajin Shaban, edhe pse nuk është i obligueshëm, është aq i vlefshëm sa Pejgamberi i Allahut nuk dëshironte ta humbiste këtë.
Por duhet të kemi parasysh se këto agjërime të Shabanit janë vetëm për ata njerëz të cilët janë të aftë për t’i mbajtur duke mos u shkaktuar deficit në agjërimin e obliguar të Ramazanit. Prandaj, nëse dikush ka frikë se pasi ta agjërojë Shabanin, do të humb forcë apo freski për agjërimin e Ramazanit, dhe nuk do të mundet ta agjërojë Ramazanin si duhet (me freski), atëherë le të mos e agjërojë Shabanin, sepse agjërimi i Ramazanit, që është i obligueshëm, është më i rëndësishëm sesa agjërimi vullnetar i Shabanit. Për këtë shkak, Pejgamberi s.a.v.s. ua ka ndaluar muslimanëve të agjërojnë një apo dy ditë njëra pas tjetrës menjëherë para nisjes së Ramazanit. Ebu Hurejra r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mos agjëroni pasi të ketë shkuar gjysma e parë e muajit Shaban.’’
Sipas një transmetimi tjetër, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit me një apo dy agjërime.’’
Esenca e hadithit të më lartë është se Pejgamberi s.a.v.s. vetë agjëronte shumicën e Shabanit, sepse ai nuk kishte frikë se do të dobësohet apo lodhet para se të fillojë Ramazani. Sa u përket të tjerëve, ai i urdhëroi ata të mos agjërojnë pas datës 15 të Shabanit nga frika se do ta humbin forcën dhe freskinë para se të fillojë Ramazani, dhe nuk do të kenë mundësi ta mirëpresin muajin e Ramazanit me entuziazëm.
Nata e Bera’atit
Një veçori e rëndësishme e këtij muaji është se këtu ndodhet një natë që në Sheriat quhet ‘Lejletul – beraa’h’ (Nata e lirimit nga zjarri). Kjo natë gjendet midis datës 14 dhe 15 të Shabanit. Ekzistojnë hadithe të besueshme të Pejgamberit të Allahut, që dëshmojnë se kjo natë është e vlefshme në të cilën njerëzit në tokë përfshihen nga mëshira e veçantë Hyjnore. Më poshtë i kemi cekur disa prej këtyre haditheve:
1. Është transmetuar se Umul Mu’mininë, Aishja r.a. ka thënë: “Njëherë Pejgamberi i Allahut fali namaz të natës (Tehexhud) dhe qëndroi aq gjatë në sexhde sa u frikësova se ka vdekur. Kur e pashë këtë, u ngrita (nga shtrati) dhe ia lëviza gishtin e tij të madh(të sigurohem se a është i gjallë). Kur gishti lëvizi, atëherë u ktheva (në vendin tim). Më pas e dëgjova duke thënë në sexhde: ‘Nga falja Jote kërkoj mbrojtje prej dënimit Tënd, dhe nga kënaqësia Jote kërkoj mbrojtje nga zemërimi Yt, si dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti. Nuk mundem të të lartësoj ashtu sikurse Ti e meriton. Ti je pikërisht ashtu siç e ke karakterizaur Veten.’ Pastaj kur e ngriti kokën nga sexhdeja dhe e mbaroi namazin, më tha: “Oj Aishe, a mendon se Pejgamberi të ka mashtruar?’ I thash: ‘Jo, o Pejgamber i Allahut, mirëpo u frikësova se shpirti yt ka shkuar për shkak të sexhdesë së gjatë.’ Më pyeti: ‘A e di se çfarë natë është kjo?’ i thash: ‘Allahu dhe Pejgamberi i Tij e dinë më së miri.’ Ai tha: ‘Kjo natë është mesi i muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i Plotfuqishëm shikon tek robërit e Tij dhe i falë ata që kërkojnë falje dhe lëshon mëshirë mbi ata të cilët luten për mëshirë mirëpo i lë edhe ata që kanë urrejtje (kundër muslimanëve) ashtu sikurse kanë qenë më parë, (dhe nuk i fal ata derisa të çlirohen nga mëria (inati).’’
2. Në një hadith tjetër Sejideh Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i Gjithëfuqishëm zbret (në mënyrën më të mirë që Ai e di) në natën e mesme të muajit Shaban dhe fal një numër të madh të njerëzve, që është më i madh se numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb.’’
Kelb ishte një fis i madh anëtarët e të cilit kishin një numër të madh të dhenve. Prandaj, fjalia e fundit e hadithit tregon numrin e madh të njerëzve të cilëve u falen mëkatet në këtë natë nga Allahu i Plotfuqishëm.
3. Po ashtu në një hadith tjetër, ajo transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kjo është nata e mesme e muajit Shaban. Në këtë natë, Allahu liron një numër të madh të njerëzve nga Zjarri, që janë më shumë se fijet e leshit të deleve të fisit Kalb. Mirëpo ai nuk i shikon ata njerëz të cilët i përshkruajnë shok Atij, apo tek ai i cili ushqen inat (ligësi) në zemrën e tij (ndaj dikujt), apo atë njeri i cili i shkëput lidhjet familjare, apo atë njeri i cili e zgjat teshat nën zogun e këmbës (si shenjë kryelartësie), apo atë njeri i cili nuk u bindet prindërve të vet, apo atë njeri i cili ka shprehi të pijë verë.’’
4. Sejidna Muadh bin Xhebeli r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në natën e mesme të muajit Shaban, Allahu i Lartësuar shikon mbi të gjithë krijesat e Tij dhe i fal të gjithë ata që i ka krijuar, pos atij i cili i përshkruan shok Atij apo ai i cili ka urrejtje në zemër (ndaj muslimanit).’’
Edhe pse zinxhiri i transmetuesve të disa prej këtyre haditheve kanë ca defekte teknike të vogla, në qëoftë se bashkohen të gjitha këto hadithe, bëhet e qartë se kjo natë ka disa merita me baza të shëndosha, si dhe ta konsiderosh këtë si natë të shenjtë nuk është ndonjë shpikje e pabazë siç e kanë marrë në sy disa dijetarë modern të cilët, bazuar në këto defekte të vogla, plotësisht e kanë mohuar t’i japin rëndësi të veçantë kësaj nate. Në fakt, disa dijetarë të hadithit këto hadithe i kanë konsideruar si autentike dhe gabimet në zinxhirin e disa të tjerëve i kanë trajtuar si gabime të vogla teknike të cilat, sipas shkencës së hadithit, janë të mjekueshme me anë të mënyrës së tyre të ndryshme të transmetimit. Për këtë shkak më të vjetrit e ummetit në mënyrë të paanshme e kanë parë këtë natë si natë me merita të veçanta dhe e kanë kaluar në adhurim dhe namaze.
Çka duhet bërë në këtë Natë?
Për t’u zbatuar Nata e Beratit, duhet të qëndrojmë zgjuar në këtë natë sa më shumë të mundemi. Nëse dikush ka mundësi më shumë, ai mund ta kalojë tërë natën në namaz dhe adhurim. Megjithatë, nëse nuk mund ta bëjnë këtë për ndonjë arsye apo diçka tjetër, mund ta zgjedhë një pjesë të natës, dhe më e preferuar është pjesa e dytë e saj dhe t’i kryejë këto adhurime:
(a) Namaz. Namazi është vepra më e preferuar në këtë natë. Nuk ka numër të caktuar të rekateve, por e preferuar është të mos jenë më pak se tetë. Po ashtu këshillohet që në secilën pjesë të namazit, siç është kijami, rukuja dhe sexhdeja, të jenë më të gjata sesa normalja. Në namaz të lexohen suret më të gjata të Kuranit që i di përmendësh. Nëse dikush nuk di ndonjë sure të gjatë, ai mundet të lexojë sure të shkurta në një rekat.
(b) Tilave. Leximi i Kuranit është një formë tjetër e adhurimit, shumë e dobishme në këtë natë. Pas kryerjes së namazit, apo në ndonjë kohë tjetër, duhet të lexohet Kuran sa më shumë të mundet.
(c) Dhikri. Po ashtu në këtë natë duhet të bëhet dhikri (përmendja e Allahut). Dhikri i mëposhtëm është shumë i dobishëm: Mund të thuhet salevat (duruud) mbi Pejgamberin e Allahut, sa më shumë të mundet. Dhikri po ashtu mund të thuhet duke ecur, duke qenë shtrirë apo gjatë orëve të punës apo kohës së lirë.
(d) Duaja. Dobia më e mirë që njeriu mund ta fitojë nga të mirat e kësaj nate janë namazet dhe lutjet. Shpresohet se në këtë natë pranohen të gjitha lutjet nga Zoti ynë, inshaAllah. Lutja është një lloj ibadeti, dhe Allahu i Lartësuar shpërblen për secilën lutje bashkë me plotësimin e kërkesës së lutësit. Edhe nëse nuk e ka arritur atë për të cilën është lutur, ai nuk do të privohet nga shpërblimi i lutjes që nganjëherë është më e vlefshme sesa të mirat e kësaj bote për të cilat përpiqemi. Namazet dhe lutjet gjithashtu e forcojnë lidhjen e njeriut me Allahun e Plotfuqishëm, çka është qëllimi kryesor i të gjitha llojeve të adhurimit.
Secili mund të lutet çka të dojë, mirëpo lutjet më të mira janë ato të bëra nga Pejgamberi s.a.v.s.. Ato po ashtu janë gjithëpërfshirëse dhe i përmbledhin të gjitha nevojat e njeriut, si të kësaj bote po ashtu edhe të Ahiretit, si dhe janë të shprehura me elokuencë. Në fakt, të gjitha lutjet profetike janë aq të thella sa imagjinata njerëzore vështirë mund ta arrijë madhështinë e tyre.
Këto lutje profetike mund t’i gjeni në shumë libra në gjuhë të ndryshme, dhe luteni Allahun e Lartësuar sipas tyre, qoftë duke i thënë në tekstin origjinal të gjuhës arabe ose duke i përkthyer ato në gjuhën tuaj.
(e) Ka disa njerëz të cilët nuk munden të kryejnë ndonjë namaz shtesë për ndonjë arsye, siç është sëmundja apo dobësia apo angazhimi në disa aktivitete tjera të nevojshme. Njerëzit e këtillë të mos i humbin plotësisht të mirat e kësaj nate, ata duhet t’i ndjekin këto akte:
(f) Të falin namzin e akshamit, jacisë dhe sabahut me xhemat në xhami, apo në shtëpitë e tyre në rast se janë të sëmurë.
(g) Duhet ta bëjnë dhikrin, veçanërisht ajo që u përmend më lartë tek (c), në çfarëdo gjendje qofshin derisa të flenë.
(h) Duhet ta lusin Allahun për falje dhe për qëllime tjera. Kjo mund të bëhet edhe nëse janë në shtrat.
(i) Gratë gjatë menstruacioneve nuk mund të falen e as të lexojnë Kuran, mirëpo munden ta bëjnë dhikrin, tesbihun, duruud-sherif-in dhe ta lusin Allahun për çfarëdo nevoje që kanë në çfarëdo gjuhe të duan. Ato gjithashtu mund të thonë lutje në gjuhën arabe të përmendura në Kuran apo hadith me qëllim lutjeje (dhe jo me qëllim të leximit).
(j) Sipas një hadithi, Pejgamberi s.a.v.s. në këtë natë shkoi te varrezat Bekije ku u lut për të vdekurit e varrosur aty. Duke u bazuar në këtë, disa fukaha e konsiderojnë mustehab (e pëlqyer) shkuarjen në varreza në këtë natë dhe të lexojnë Fatihanë apo ndonjë pjesë tjetër të Kuranit, si dhe të luten për të vdekurit. Mirëpo ky veprim nuk është as i obligueshëm e as të kryhet rregullisht sikur të jetë ndonjë vepër e obliguar.
Çka nuk duhet bërë në këtë Natë
1. Siç u përmend më parë, Nata e Berasë është një natë në të cilën lëshohen bekime dhe dhunti të veçanta mbi muslimanët. Prandaj, kjo natë duhet të kalohet në përulje të plotë ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe të largohemi nga çdo vepër që e hidhëron Allahun. Edhe pse është e detyrueshme për çdo musliman që të shmanget nga mëkatet, në këto net largimi nga mëkatet është akoma më e nevojshme, sepse bërja e mëkateve në këtë natë do t’u përgjigjet dhuntive të Allahut me mosbindje dhe krim. Prandaj, njeriu duhet në mënyrë të rreptë të largohet nga të gjitha mëkatet, në veçanti ato që u përmendën më lartë në hadithin nr. 3 sepse veprimi i mëkateve në këtë natë e largon nga mëshira dhe bekimet e kësaj nate.
2. Në këtë natë disa njerëz merren me disa aktivitete që i konsiderojnë të domosdoshme për festimin e kësaj Nate, siç është gatimi i disa llojeve të veçanta të ushqimit, apo zbukurimi i shtëpive apo xhamive apo ndërtesave të improvizuara. Të gjitha këto aktivitete nuk janë vetëm të pabaza dhe të shpikura në ditët e fundit nga njerëz injorantë, por në disa raste janë imitime të pastra të disa ritualeve nga shoqëritë jo muslimane.
Imitimi i këtillë është mëkat në vetvete; shfaqja e tij në një natë të bekuar si Nata e Beratit e bën edhe më të keqe. Muslimanët duhet rreptësisht të largohen nga aktivitetet e këtilla.
3. Disa njerëz këtë natë e kalojnë duke mbajtur takime fetare dhe dhënie të ligjëratave të gjata. Aktivitetet e këtilla gjithashtu nuk janë të preferuara, sepse këto mund bëhen edhe në net të tjera. Kjo natë kërkon që njeriu t’i përkushtohet vetëm adhurimit.
4. Këto adhurime si namazi, leximi i Kuranit dhe dhikri në këtë natë duhet të kryhen individualisht e jo në bashkësi. Namazi nafile nuk duhet të falet me xhemat e as muslimanët të mos tubohen në xhami që ta festojnë këtë në mënyrë kolektive.
Përkundrazi, kjo natë ka për qëllim adhurimin e Allahut në vetmi. Është një kohë që lidhesh direkt me Zotin e Universit, dhe t’i përkushtohesh vetëm Atij. Këto janë orë të çmuara të natës në të cilën askush nuk ndërhyn mes tij dhe Zotit të tij, dhe njeriu mund t’i kthehet Allahut me një përqendrim të plotë, duke mos u shqetësuar apo ndërprerë nga dikush.
Për këtë shkak, Pejgamberi s.a.v.s. adhurimin në këtë natë e ka bërë duke qenë plotësisht i veçuar, duke mos u shoqëruar me askënd madje as edhe me shoqen e saj të preferuar të jetës, Aishen r.a., dhe për këtë arsye të gjitha adhurimet vullnetare (nafile) këshillohen të kryhen individualisht e jo në mënyrë kolektive.
Agjërimi i ditës së 15 të muajit Shaban
Në ditën e 15 të muajit Shaban, është mustehab të agjërohet. Pejgamberi s.a.v.s. prerazi e ka rekomanduar këtë agjërim. Edhe pse dijetarët e hadithit kanë ca dyshime në autenticitetin e këtij transmetimi, më herët është përmendur se agjërimi në gjysmën e muajit Shaban kanë vlera të veçanta dhe Pejgamberi s.a.v.s. e ka agjëruar shumicën e muajit Shaban. Për më tepër, një numër i madh i më të vjetërve (selefëve) të Umetiti e kanë agjëruar ditën e 15 të muajit Shaban. Kjo praktikë konstante na bën të ditur se këtë hadith e kanë pranuar si autentik.
Andaj, është e preferuar agjërimi i ditës së 15 të muajit Shaban si një agjërim vullnetar. Gjithashtu në këtë ditë mund të mbahen agjërimet kaza dhe shpresohet se do të ketë përfitime nga meritat e këtij agjërimi.
Nata per te cilen flet Kur-ani dhe Hadithi:Lejletu-l-Miraxhi është natë për të cilën flet edhe Kur’ani edhe Hadithi, ndërsa me këtë përcaktim nënkuptohet Israja (udhëtim gjatë natës nga Mekkeja deri në Kuds në Jerusalem) dhe Miraxhi (ngritja e të Dëruarit të Allahut deri në Sidretu-l-muntehaa), të cilat ndodhën në të njëjtën natë.
Sipas burimeve historike, kjo ndodhi ka ndodhur në njërën nga periudhat më të vështira të pejgamberisë së Muhammedit, s.a.v.s., menjëherë pas sunetu-l-hudhna (vitit të dëshpërimit) në të cilin i Dërguari humbi dy mbështetësit më të fuqishëm, ndihmuesit dhe mbrojtësit në mesin e njerëzve, h. Hatixhen dhe Ebu Talibin. Pas kësaj humbje, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., shkoi në Taif që banorët e atjeshëm t’i thërras në islam, mirëpo në vend të përkrahjes e përzunë duke i hedhur gurrës dhe duke e sharë. Në ato çaste i Dërguari kërkoi mbrojtje nga Mbrojtësi më i Madh dhe Allahu, xh.sh., e përgëzoi me Isranë dhe Miraxhin.
Për Isranë në Kur’an theksohet:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit). (El-Isra, 1)
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në Miraxh, është ngritur në qiejt më lartë dhe ka qëndruar pranë Allahut të Lartësuar, duke i kapërcyer kufijtë të cilët janë të pamundur për t’u kapërcyer edhe nga vetë melekët. Këtu ka parë shenja të cilat syri i njeriut nuk i ka parë, as që do t’i shoh deri në Ditën e Gjykimit. Këtë e vërteton Kur’ani me fjalët:
“Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi i…) Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm, 13-18)
Të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në Miraxh iu shpall dispozita mbi namazin i cili, sipas fjalëve të tij, është “Miraxhi (ngritja shpirtërore) i muslimanëve”, ndërsa iu shpallën edhe tre ajetet e fundit të sures el-Bekare.
Se kur ka ndodhur nata e Israsë dhe Miraxhit nuk theksohet saktësisht. E sigurt është se ka ndodhur para Hixhretit, duke mos u precizuar më tutje, mirëpo supozohet të ketë ndodhur në natën e 26., të muajit rexheb.
Shtimi i ibadetit me rastin e Lejletu-l-miraxhit
Lejletu-l-miraxh, nata në të cilën u ngrit Muhammedi, s.a.v.s., në sferat më të larta qiellore, ka ndodhur më 26. rexheb.
Në Kur’anin fisnik thuhet: ““Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit). (El-Isra, 1)
Allahu i Lartësuar në suren En-Nexhm më përsëafërmi na njofton me miraxhin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i Cili thotë: “Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili) Që ka mendje precize dhe që u përqëndrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë (nga lindja). Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kutë) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi i…) Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet. (En-Nexhm, 1-18)
Në Miraxh, Muhammedi, s.a.v.s., ka kontaktuar pa ndërmjetësues me Allahun e Lartësuar. Gjatë kësaj Muhammedit, s.a.v.s., iu shpallën dy ajetet e fundit të sures el-Bekare, iu caktuan pesë namazet ditore dhe iu dhurua e drejta për shefat. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në Miraxh ka parë Xhennetin dhe Xhehennemin si dhe banorët e tyre. Ka parë shenja të tjera të cilat me lejen e Allahut, xh.sh., i janë treguar. Çdo besimtar përpiqet që ta ripërtëritë miraxhin, ngritjen e tij shpirtërore, të cilat në fakt janë rilindja e tij shpirtërore. Dhe ashtu siç Muhammedi, s.a.v.s, në miraxh ka kontaktuar me Allahun e Lartësuar, ashtu edhe çdo besimtar në namaz kontakton me Allahun dhe ngjitet mbi këtë botë materiale në botën e afërt të Allahut. Për këtë arsye namazi është miraxhi i besimtarit.
Me rastin e Lejletu-l-miraxhit falet namazi i veçantë i nafiles. Ky namaz nafile përbëhet prej njëzet rekateve. Selam jepet pas çdo dy rekati. Në çdo rekat, gjatë qëndrimit në këmbë, lexohet Fatihaja (El-hamdulil-lahi, M.A.) dhe njëherë Kul huall-llahu ehad (Sureja Ihlas, M.A.). Pas namazit lexohet:
- “Subhanall-llahi vel hamdulil-lahi ve la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber” (njëqind herë);
- Istigafar (Estagfirull-llahi, njëqind herë), dhe
- All-llahume sal-li ala Muhammed ve ala ai Muhammed (njëqind herë),
Pas kësaj kërkohet ajo që dëshirohet nga Allahu, xh.sh. [1]
Preferohet që ky namaz nafile të falet pas namazit të jacisë, ndërsa para se të falet namazi i vitrit. Mund të falet me xhemat, mirëpo më mirë është që të falet vetëm dhe në vetmi.
Nijeti për këtë namaz është: “”Nevejtu en usallije lillahi teala salate lejletil-mi’radži edaen mustakbilel kibleti Allahu ekber.”
O Allahu i Plotfuqishëm, bashkoi zemrat tonë në fe dhe dashuri. Forcoi hapat tonë në të vërtetën dhe të drejtën. Forcona dëshirën tonë për vëllazëri dhe bashkëjetesë.
Amin!
Dhjete ditet e Dhul-Hixhes,si ti kalojm atoVëlla dhe motër e dashur!
Allahu i Lartësuar robit të Tij vazhdimisht i dhuron dhurata nga më të ndryshmet, njëra prej tyre është edhe dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe (ditët para Kurban bajramit), kështu që të përgatitemi për pritjen e tyre. Allahu është betuar në këto ditë dhe net:
“Pasha dhjetë netët! Pasha qiftin dhe pasha tekun!” (Hashr: 2-3)
Qifti është nata e dhjetë, ndërsa teku është nata e nëntë.
Ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk ka ditë që puna tek Allahu të jetë më e dashur se gjatë këtyre ditëve (dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe). I thanë: O i Dërguari i Allahut: As xhihadi në rrugën e Allahut? Tha: As xhihadi në rrugën e Allahut, përpos njeriut i cili del nga shtëpia e tij me shpirtin dhe pasurin e tij e nuk kthehet më aty” (Transmeton Buhari)
“Nuk ka ditë më të dashura për ta adhuruar Allahun se sa gjatë dhjetëditëshit të parë të muajit Dhul-Hixhe, agjërimi i një dite prej tyre është sikur agjërimi i një viti, ngritja e një nate prej tyre është sikur ngritja në natën e Kadrit.” (Transmeton Tirmidhiu)
Në hadithin që e transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thuhet: “ Gjatë këtyre ditëve shpeshtojeni shprehjen e Njëshmërisë (tevhidin), madhërimin dhe përkujtimin e Allahut, agjërimi i një prej këtyre ditëve është i barabartë me agjërimin e tërë vitit dhe puna gjatë këtyre ditëve shumëfishohet deri në shtatëqind herë.”
Transmetohet nga Ashja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron nga zjarri më shumë se sa në ditën e Arafatit, vlera e ditëve të kësaj bote është dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe.”
Vëlla dhe motër e dashur!
Në kohën e provimeve punojmë dhe përpiqemi me qëllimin e vetëm që të arrijmë sa më shumë, atëherë pra pse të mos përpiqemi dhe të punojmë në këto ditë të begatshme, ditë të cilat janë më të mira gjatë tërë vitit.
Dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe janë mirësi e madhe nga Allahu i Lartësuar, i vlerëson vetëm ai i cili e kërkon mirësinë nga Zoti i tij, andaj shfrytëzo këtë rast, programo kohën tënde, renditi punët e tua, Allahu do të lehtësojë që dita jote të jetë ditë adhurimi për Zotin tënd.
Nga mirësitë e Allahut është që Ai bëri shumë rrugë për t’i arritur mirësitë e tij, të interesohemi që në këtë aktivitet të jenë pjesëmarrës e tërë familja.
Vëlla dhe motër e dashur, para sesa të hyjë dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe ulu me familjen tënde dhe medito rreth vlerave të mëdha të cilat i kanë këto ditë, mësime dhe këshilla, bisedo me pjesëtarët e familjes rreth këtyre çështjeve:
1. Përultësia dhe nënshtrueshmëria: Në të dërguarin e Allahut, Ibrahimin dhe birin e tij, Ismailin, paqja qoftë mbi ta, kemi shembullin më të mirë atëherë kur iu përgjigjën Zotit të tyre për therjen e Ismailit a.s. dhe dorëzimit të plotë ndaj Zotit të tyre. Gjithashtu kemi Haxheren, kur Ibrahimi a.s. e la me të birin e saj, Ismailin, në shkretëtirë e ajo tha: “Pra nuk do të na humbë”, kjo është ndjenjë e prezencës së Zotit dhe dorëzim ndaj urdhrave të Tij, gruaja dhe biri ishin ndihmëtar të babait në rrugën e Allahut.
2. Vrapimi pas punëve të mira: Ashtu sikur vrapimi i Haxherës, vrapimi në punë të mira dhe angazhim në mënyrë që të arrijmë kënaqësinë e Allahut.
3. Përgjigjja e thirrjes së Allahut dhe dorëzimit ndaj Tij: “Të përgjigjëm ty o Allah, të përgjigjëm – Leb-bejke All-llahum-me leb-bejke”, tregon nënshtrim në adhurim dhe bindje ndaj Tij.
4. Tubimi i njerëzve në ditën e Arafatit na përkujton ditën kur njerëzit do të dalin para Allahut, Ditën e Gjykimit.
5. Shejtani është armik i njeriut deri në vdekje, por nga mirësitë e Allahut është se shejtani nuk ka mundësi që njeriun ta hedhë në mëkate, por ai tek njeriu mund të nxit vesvese, kërko mbrojtje tek Allahu nga vesveset e tij.
6. Sakrifica në rrugën e Allahut me pasuri dhe shpirt ashtu siç veproi Ibrahimi dhe biri i tij Ismaili, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta.
Vëlla dhe motër e dashur pas diskutimit të këtyre pikave me familjen tënde, përcakto ibadetet të cilat dëshiron t’i zbatosh, dhe përgatite programin me të cilin do të lartësohesh.
Këshilla të cilat të ndihmojnë në vendosjen e programit:
1. Lutja në pamjen e hënës së re;
2. Falja e namazit në kohên e caktuar;
3. Dhënia e zekatit;
4. Dhënia e lëmoshës sipas mundësisë;
5. Agjërimi i nënë ditëve të para, duke pasur parasysh vlerën e cekur më lartë, e nëse nuk mundësh atëherë ditën e tetë dhe të nëntë, e së paku të nëntën;
6. Leximi i kuranit ne dhjetë ditët e para, për çdo ditë nga tre xhuza, apo së paku gjatë tërë muajit të Dhul Hixhes;
7. Ngritja në një pjesë të natës nga dhjetë netët e sipërpërmendura të muajit Dhul-Hixhe, e posaçërisht natën e nëntë dhe të dhjetë;
8. Lutja e Allahut pa ndërprerë gjatë këtyre ditëve dhe netëve, veçimi i ditës së Arafatit me lutjen: “LA ILAHE ILA ALLAH VAHDEHU LA SHERIKE LEH, LEHUL MULKU VE LEHUL-HAMDU VE HUVE ALA KULI SHEJIN KADIR.” Lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, përkujtimi i Allahut gjatë ditës, dhe dërgimi i salavateve mbi të dërguarin e Allahut, kërkimi i Xhenetit, dhe kërkimi i mbrojtjes nga zjarri;
9. Lidhjet farefisnore dhe sjellja mirë me prindërit, pajtimi i të hidhëruarve, mirësia ndaj fqinjëve, dhe gëzimi i myslimanëve, të gjitha këto janë punë të mira të cilat i shtojnë shpërblimet mbi shtatëqind herë;
10. Çdo ditë nga dhjetë ditët veço me njërin nga domethëniet e kaluara;
11. Mësoi fëmijët e tu që të kujdesën në thirrje në fenë e Allahut, duke i këshilluar që këto mësime t’ua përcjellin shokëve të tyre në shkollë, dhe përhapjen e mirësive mes njerëzve, ky është mision hyjnorë, pra që ne të jemi ftues të Allahut posaçërisht në këto ditë;
12. Me familjen para namazit të akshamit lexoi lutjet e mbramjes bashkërisht;
13. Para veti ke rast që përmes ibadeteve të lehta të arrish vlerën e Haxhit, thotë i Dërguari a.s. “Ai i cili e falë namazin e sabahut me xhemat, pastaj ulet në vendëfalje deri sa të lind dielli, pastaj i fal dy rekate do të jetë sikur ta ketë kryer Haxhin dhe Umren” (Transmeton Tirmidhiu)
14. Shfrytëzo këto ditë që i ke para veti dhe slogani i jetës tende le të jetë: “Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem!”, në çdo urdhër, punë dhe përpjekje.
Në fund e lusim Allahun që të na e pranojë namazin, agjërimin, leximin e Kuranit dhe punët e mira.
Urtesi e diteve dhe neteve te shenuara ne islam:Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Dhe është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Ja, pikërisht ditët dhe netët e mira na hapin dyert dhe na ndihmojnë duke u bërë pretekste për një ndryshim pozitiv në jetën tonë.
Ditët dhe netët e shënuara në fenë Islame janë kohë shumë të begata, ku dhuntitë dhe dhuratat hyjnore shfaqen në sasinë më të madhe nga ana ideore dhe shpirtërore. Entuziazmi ideor dhe shpirtëror i ditëve dhe netëve të mrekullueshme që shtrihen si rrugëlidhje, porta apo katapulta, të cilat formojnë tek njeriu një ndjesi krejt ndryshe, i bashkon e i bën një muslimanët. Shpirti rreh krahët më ndryshe përtej përjetësisë, çdo gjë futet në sinfoninë e gjatë të jetës së universit, gjokset i pushton një fëshkërimë lutjesh dhe kërkesash, që nuk mund të shprehen dot me gjuhën tonë të varfër.
Për çdo sëmundje apo dhembje që mund të kemi në trupin tonë, ne menjëherë interesohemi dhe shkojmë për vizitë tek mjeku. A nuk është e drejtë të përpiqemi me po aq forcë për të shpëtuar nga gjynahet që na errësojnë botën, na ngushtojnë shpirtin dhe na hapin plagë në zemër? Nëse jemi të bindur për këtë, atëherë le të mendojmë pak ç’mund të bëjmë! Përpjekja për të shpëtuar nga gjynahet në literaturën Islame e merr emrin teube dhe istigfar (pendim dhe falje). Ky veprim përveç se bëhet me gjuhë dhe me zemër, ka edhe disa kohë të veçanta ku fokusimi është akoma më i madh dhe më i përshtatshëm. Ne e dimë se falje mund të kërkohet në çdo kohë, por ekzistojnë disa intervale kohore në të cilat ne e kemi më të lehtë të fokusohemi me gjithë shpirtin tonë. Këto kohë janë pikërisht ditët dhe netët e mira, në të cilat ne kemi mundësinë të drejtohemi të vetëdijshëm në maksimum drejt faljes. Ky është vërtet një rast mjaft i volitshëm për të gjithë besimtarët muslimanë, që të largohen nga gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Ato kohë janë me të vërtetë momente mjaft të vyera për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur Zotit më afër, e përmend Atë dhe kërkon falje për gjynahet, që i kanë shkatërruar qetësinë shpirtërore. Kështu, ditët dhe netët e mira janë për ne si doktorët më të mirë që mjekojnë me ilaçet e tyre shpirtërore, shpirtin tonë.
Allahu i Lartë ndër muajt, ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët, natën e Kadrit, ndër vendet Mekën, ndër njerëzit Hz. Muhamedin (a.s.) dhe ndër ditët, ditën e Xhuma.
Ndër zakonet dhe traditat e bukura fetare të popullit tonë janë edhe vizitat që u bëhen në këto kohë të afërmëve, fqinjve, të sëmurëve apo shoqërisë duke i uruar dhe i kujtuar ato me ëmbëlsirat e porositur posaçërisht për këtë rast. Ndër këto tradita të fisshme është edhe ndriçimi si asnjëherë tjetër i xhamive, këndimi në xhamia i pjesëve të zgjedhura të Kur’anit për publikun, daullet që bien për njoftimin e këtyre ditëve dhe netëve, etj.
Vlerat dhe përparësitë e ditëve dhe netëve të mira ndaj ditëve dhe netëve të tjera të zakonshme janë të shumta. Ka shumë rëndësi që në këto ditë dhe netë, besimtari të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’i kalojë ato me adhurim e lutje. Adhurimi dhe lutja e bërë në këto kohë, bëhet shkak për më shumë mirësi, gjë që u jep atyre një vlerë të veçantë. Nga ana tjetër duhet te theksohet se një ndërgjegje të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë, besimtari duhet të përpiqet ta gjejë në çdo ditë apo natë të jetës së tij.