www.besimdemaku.page.tl

FEJA ISLAME ESHTE JET

Ndalimi i teprimeve

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Llojet e njerëzve në adhurim

Njerëzit në adhurim janë në dy grupe anësore dhe një i mesëm. Ka prej tyre që është teprues, ka prej tyre që është mangësues, ka prej tyre që është mesatar. Feja e Allahut është ndërmjet tepruesit në fe dhe mangësuesit në të. Njeriu duhet të jetë i mesëm, duke mos anuar as tek teprimi e as tek mangësimi, kjo është vaxhib (detyrë).

Teprimet (kalimi i kufijve) janë disa llojesh, prej tyre është: teprimi në akide, në adhurime, në marrëdhëniet e ndërsjella me njerëzit dhe në zakone.

Teprim në akide është: Zgjatja e fjalës nga ehlul kelami në lidhje me pohimin e cilësive. Ehlul kelami u zgjatën e u thelluan aq shumë, derisa arritën në shkatërrim të sigurt. Ky thellim i çoi në njërën prej dy çështjeve, ose në përngjasim, ose në mohimin e Cilësive të Allahut të Lartësuar. Ata që e përngjasuan Allahun me krijesat e Tij thanë: Ky është kuptimi i pohimit të cilësive. E tepruan në pohim duke pohuar për Allahun atë që Ai ia ka mohuar vetes së Tij. Ata që mohuan cilësitë thanë se Ai është i pastër prej çdo përngjasimi me krijesat. Pretenduan se pohimi i cilësive është përngjasim dhe kështu mohuan atë që Ai ia ka pohuar vetes së Tij.

Grupi i mesëm nuk u thellua në pohim, as në mohim e pastrim. Ata morën kuptimin e qartë të fjalës dhe thanë se nuk na takon ne të shtojmë mbi këtë, nuk u shkatërruan, por qëndruan në rrugën e drejtë. Kur persianët dhe romakët e të tjerë u futën në fe filluan të thelloheshin në këto çështje në polemika që nuk mbaronin kurrë derisa humbën. Allahu na ruajttë! Dëshirat që sollën të mëvonshmit e këtij umeti ndaj teksteve, nuk i kanë sjellë sahabët të cilët kanë qenë mesatarë.

Teprimi në adhurim është ashpërsia në të deri sa mangësinë e diçkaje në të e shikon si kufër, si dalje nga Islami. Siç është teprim i havarixhëve dhe muëtezilëve, të cilët thanë se kush vepron ndonjë mëkat të madh, ka dalë nga feja, lejohet vrasja e tij, lejohet marrja e pasurisë së tij. Lejuan daljen në luftë kundra të parëve dhe derdhjen e gjakut. Po kështu muëtezilet thonë se kush vepron një gjynah të madh, ai është ndërmjet dy pozicioneve, imanit dhe kufrit. Ashpërsi, e cila i çoi në shkatërrim. Kësaj ashpërsie iu vunë përballë murxhit me tolerimin e tyre, të cilët thanë se vrasja, prostitucioni, vjedhja, pirja e alkoolit e të tjera prej gjynaheve të mëdha nuk të nxjerrin prej Islamit dhe nuk të pakësojnë prej imanit asgjë, por mjafton për imanin pohimi. Imani i vepruesit të gjynahut të madh është si imani i Xhibrilit dhe i Profetit – Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –, sepse njerëzit nuk ndryshojnë në iman, derisa thonë se iblisi është besimtar, sepse është pohues. Kur u thuhet se Allahu e ka bërë qafir, thonë se ai në pohimin e tij nuk ka qenë besnik, por ka gënjyer.

Këta në realitet u vinë përshtat shumë njerëzve të kësaj kohe. Nuk ka dyshim ky është një nënvlerësim tepër ekstrem. I pari ishte ekstremizëm në ashpërsi. Ehli Suneti dhe Xhemati beson se Imani (besimi) shtohet dhe pakësohet. Ndërsa vepruesi i gjynahut është me besim të mangët në bazë të gjynahut të kryer dhe nuk del nga besimi nëse argumentet nuk e provojnë se ajo është kufër.

Teprimet në marrëdhëniet me njerëzit është tejkalimi i kufijve të çështjeve në ndalimin e gjithçkaje edhe pse mund të jetë mjet dhe nuk lejon për njeriun të shtojë mbi të nevojat e domosdoshme jetësore. Këtë rrugë e morën sufijtë, të cilët thanë se kush preokupohet për dynjanë nuk e do ahiretin. Gjithashtu, thanë se nuk i lejohet që të blej mbi nevojat e domosdoshme, etj., si këto.

Përballë këtyre qëndruan nënvleftësuesit e atyre të cilët thanë se lejohet çdo gjë që shton pasurinë dhe forcon ekonominë qoftë edhe nëpërmjet kamatës, mashtrimit, etj. Këta ekstremistë në nënvleftësim i gjen duke gënjyer në vlerën e mallit, përshkrimin e tij dhe në çdo gjë, në mënyrë që të fitojë me çdo kusht një apo dy lekë. Nuk ka dyshim se kjo është ekstremizëm.

E mesmja është të thuhet se lejohen marrëdhëniet midis njerëzve në përputhje me argumentet e sheriatit: " Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën". El Bekare, 275.

Jo çdo gjë është e ndaluar. Profeti – Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka blerë e ka shitur. Sahabët – Kënaqësia e Allahu qoftë me ta! – kanë blerë e kanë shitur dhe Profeti ua ka pohuar një gjë të tillë.

Teprimet në zakone është kur këtij zakoni i frikësohen se njeriu kur e ndryshon atë kalon nga zakoni në adhurim. Kapja pas kësaj nuk përbën ndonjë problem, por nuk duhet të kalojë në një zakon të ri. Nëse teprimi në zakon pengon kalimin në një zakon të ri më të dobishëm se i pari, padyshim kjo është teprim i ndaluar.

Kur dikush kapet pas zakonit të tij në një çështje të re më i mirë se zakoni i tij në të cilin ai qëndron i themi: Ky në të vërtetë është teprues dhe ekstremist në këtë. Nëse zakonet janë të barabarta në dobi, por ekziston frika që njerëzit të kalojnë nga ky zakon në zgjerimin e zakoneve, të cilat mund të çojnë në largimin e pozitës ose të fesë, duke mos kaluar në një zakon të ri.

Transmeton Muslimi prej Ibn Mes’udit se Profeti – Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!– ka thënë: "Janë të shkatërruar "mutentiunët" (ekstremistët)" E përsëriti këtë tri herë.

"Mutentiunët", ekstremistët, të cilët thellohen, zgjaten si në fjalë ashtu dhe në vepra. Këta janë të shkatërruar, qoftë dhe me fjalët e zakonshme. Disa njerëz mbesin në këtë gjendje ndoshta i afrohen ekstremizmit, thellohen në të dhe vetëkënaqen në shumicën e rasteve. Ndoshta i afrohen asaj, do ta gjesh atë kur të flasë flet me hundë, kur i jep selam e dëgjon ta kthej selamin me hundë e të tjera prej fjalëve.

Po kështu ekstremizmi në vepra të çon në vetëkënaqësi dhe mendjemadhësi dhe për këtë ka thënë: "Janë të shkatërruar "mutentiunët" (ekstremistët)".

Gjithashtu, ekstremizmi në çështjet e fesë i ngjan teprimit (tejkalimit të kufijve), të cilat bëhen shkaqe për shkatërrim. E tillë është ajo që veprojnë disa njerëz duke u thelluar në cilësitë e Allahut, zgjatjen e fjalëve në to, derisa arrijnë pyesin për ato gjëra për të cilat nuk kanë pyetur sahabet. Ndërkohë ata e dinë se sahabet kanë qenë më të mirët dhe më të interesuar për dijen, po ashtu ndërmjet tyre ka qenë i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – tek i cili ishin përgjigjet e pyetjeve ku nuk gjeje tek të tjerët sado që të kishin dijen e tyre.

Të tre këto hadithe argumentojnë për ndalimin e teprimeve, i cili është shkak për shkatërrim. Njeriu e ka për detyrë të ecë drejt Allahut midis dy anëve të kundërta, me fenë e mesme, ashtu siç është dhe ky umet, umet i mesëm, edhe feja tij është e mesme. Kështu që edhe rruga e tij duhet të jetë e mesme.

Nga “Kaulu mufid ala kitabi teuhid” i Shejkh Muhamed ibn Salih el Uthejmin

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free