Gjurmet e meshires se Allahut
Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e profetëve Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnikë si dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Në sallonin e pritjes në një spital, pash një person të moshuar i cili po luante me një fëmijë të vogël që sapo i kishte arritur gjashtë vjeç. Ai vazhdonte t’i dhuronte edhe më shumë dashuri dhe dhimbsuri, gjë e cila më habiti e la mbresa tek unë.
Iu afrova, e përshëndeta duke i buzëqeshur dhe i thashë:
-Mashallah, ky është nipi juaj, apo është djali juaj i vogël?
-Nuk është nipi im, por është djali im i vetëm që kam, - më tha Ai.
Fillova të lutesha për të, por fillimisht mendova se ai do të ishte martuar i madh në moshë!
Kur ai pa habinë time dhe vetullat që kisha ngritur, më tha duke buzëqeshur:
-Më kanë vdekur përpara tij më shumë se dhjetë fëmijë, megjithatë falënderimi i takon Allahut...ata më kanë vdekur të vegjël.
Aq sa më trishtoi lajmi tij, po aq edhe më gëzoi, sepse unë në atë moment ndjeva shpërblimin e madh të cilin e presin të sprovuarit, në përgjithësi, dhe ata që kanë humbur loçkën e zemrës së tyre, në veçanti!
Pas disa çastesh heshtje i thashë:
-Lus Allahun që ata tashmë të kenë pushuar në xhenet, e të kenë paraprirë ty në mirësitë e përjetshme! Po ashtu, i lutem Allahut që të jenë për ty dhe nënën e tyre ndërmjetësues Ditën e Gjykimit, si dhe mburojë nga zjarri i xhehenemit. E lus Allahun që ata të të takojnë ty në dyert e xhenetit të gëzuar... të vrapojnë drejt teje... të garojnë se cili do të të marrë ty e nënën prej dore për të çuar në xhenet.
Burri i buzëqeshur, tundte kokën e thoshte:
-E lus Allahun të ma dhurojë një gjë të tillë!
Më pas i kujtova atij disa hadithe të cilat mbartin përgëzime për atë të cilit i vdes fëmija. Të njëjtat hadithe do t’i përmend edhe në këtë faqe -madje edhe do të shtojë-, si përgëzim për ata të cilët u kanë vdekur fëmijët e vegjël muslimanë; po ashtu si një kurajë për ata të cilët vazhdojnë ende të jenë të brengosur për humbjen e tyre.
Do t’i përmend këto hadithe në mënyrë që të ndiejmë mëshirën e tejskajshme të të Gjithëmëshirshmit, dhe për shkak të përkujtimit me bujarinë dhe mirësinë e madhe që Allahu i dhuron robërve të Tij besimtarë. Po ashtu, që të jemi të sigurt se Ai kurrë nuk na e merr diçka që na e ka dhuruar më parë, veçse për një urtësi të madhe, si dhe nuk na e merr atë vetëm që të na dhurojë diçka më të madhe se ajo që na ka dhuruar. Po ashtu, Ai na dhuron për shkak të durimit dhe falënderimit, shumëfish më shumë se ajo që kemi humbur nga bukuritë e kësaj bote, ku nga më të mëdhatë është fitimi i xhenetit dhe ruajtja nga zjarri.
Fillimisht, dhe para së gjithash, duhet të shtrojmë një pyetje: Ku qëndrojnë dhe ku gjenden shpirtrat e fëmijëve muslimanë pas vdekjes?
Përgjigja është se çdo shpirt pas vdekjes ka vendin e veçantë në të cilin do të qëndrojë. Shpirtrat e besimtarëve do të jenë në xhenet, ndërsa shpirtrat e jobesimtarëve në zjarr dhe për këtë ka një shtjellim tejet të gjerë. Allahu xhenetin e ka bërë vendqëndrim për shpirtrat e fëmijëve të cilët vdesin nën moshën e pjekurisë dhe kjo sigurisht është një gjurmë e mëshirës së Tij ndaj atyre të cilët kanë vdekur fëmijë dhe në natyrshmërinë –e pastër islame, në të cilën Allahu ka krijuar krijesat[1]. Argument për këtë është thënia e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Profeti (juaj) është në xhenet, dëshmori është në xhenet, i porsalinduri dhe e porsalindura janë në xhenet.” [2]
Ata atje janë në kujdestarinë e Ibrahimit –alejhi selam- dhe bashkëshortes së tij Sara, në një mal në xhenet, madje në një kopsht të gjelbër në të cilin gjenden të gjitha llojet e luleve të pranverës. Ata do të lozin atje mes dy lumenjve rrjedhës e të përjetshëm, kjo duke u bazuar në thënien e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Fëmijët e besimtarëve gjenden në një nga malet e xhenetit, nën kujdesjen e Ibrahimit dhe Sarës, derisa t’ua dorëzojnë prindërve të tyre Ditën e Kiametit.” [3]
Ndërsa në ëndrrën që ka parë Profeti alejhi selam –duke e ditur se ëndrrat e profetëve janë të vërteta-[4] ka thënë: “Një natë më erdhën dy persona të cilët më shoqëruan, ata më thanë: -Ec dhe unë eca me ta, derisa erdhëm në një lëndinë tek e cila gjendeshin të gjitha lulet e pranverës, ndërsa në mes të lëndinës një burrë i gjatë që qëndronte në këmbë, aq sa gati nuk ia shihja dot kokën, rreth tij pash fëmijët më të shumtë e më të bukur që kisha parë ndonjëherë… I pyeta ata: -Cili është ky burrë, e kush janë këta fëmijë? Ata më thanë: -Ai është Ibrahimi, ndërsa fëmijët rreth tij, janë të gjithë fëmijët që kanë vdekur në natyrshmërinë e pastër…”[5]
Po ashtu, përcillet nga Ebi Umamete se ka dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem të thotë: “Ndërkohë që isha duke fjetur, më vinë dy burra të cilët më marrin nga krahu e më çojnë në një mal të frikshëm. Ata më thonë: -Ngjitu! Unë nuk mundem ta ngjis, -u thashë. Ne do të të ndihmojmë, -ma kthyen ata dhe unë u ngjita… Pastaj ecëm derisa arritëm pranë disa fëmijëve të cilët loznin mes dy lumenjve. Pyeta: -Cilët janë këta fëmijë? Ata janë fëmijët e besimtarëve, -më thanë ata.” [6]
Allahu Ekber -Allahu është më i madhi!-. Sa pamje e bukur, të cilën është e pamundur ta përshkruaj imagjinata! E po aq e pamundur është që ta vizatojnë lapsat. Fakti që ata janë duke lozur, është e përshtatshme për moshën fëminore të tyre, gjë e cila është nga gjurmët e mëshirës së Allahut për të vegjlit, sepse ata jetojnë jetën e tyre normale e cila dallon me lojë e argëtim e hare të pakufizuar!
Gjidhënëset e fëmijëve në Xhenet
Nga frytet e mëshirës së Allahut për foshnjat është se Ai ka përgatitur për ata që kanë vdekur në moshën e gjidhënies gjidhënëse të cilat do të plotësojnë gjidhënien e tyre në xhenet. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Im bir, Ibrahimi, vdiq duke qenë në gji dhe ai do të ketë dy gjidhënëse të cilat do të plotësojnë gjidhënien e tij në xhenet.” [7]
Vdekja e fëmijëve është perde për prindërit e tyre ndaj zjarrit
Nga shenjat e mëshirës së Allahut është se e ka bërë vdekjen e fëmijëve shkak për të qenë perde mbrojtëse për prindërit muslimanë nga zjarri i xhehenemit. Ebu Seid Hudri përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kujt i vdesin tre fëmijë, do të jenë për të perde nga zjarri.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se gratë erdhën dhe i thanë: -O i Dërguar Allahut, burrat e kanë marrë gjithë kohën tënde, ndaj lër për ne një ditë të vijmë të mësojmë prej fesë. Ai u la atyre një kohë, u foli dhe i këshilloi e ndër të tjera u tha: “Nuk ka ndonjë grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë për të perde penguese ndaj zjarrit”. Një grua i tha: -Po dy, o i Dërguar i Allahut, sepse mua më kanë vdekur dy fëmijë? Ai tha: “Edhe dy.” [8]
Ebu Hurejre përcjell se një grua erdhi tek i dërguari i Allahut me një fëmijë në dorë dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, lute Allahun për të, sepse i kam varrosur tre fëmijë.” Profeti salallahu alejhi ue selem, i tha: “Ti qenke mbrojtur me një mburojë të fortë nga zjarri.” [9]
Përcillet nga një grua e cila quhej Rraxha, se ajo ka thënë: -Isha tek i Dërguari i Allahut në kohën kur atij i erdhi një grua me fëmijë në dorë e i tha: -O i Dërguar i Allahut, lute Allahun ta begatojë këtë fëmijë, sepse më kanë vdekur tre të tjerë. Profeti salallahu alejhi ue selem i tha: “Që kur je bërë muslimane?” Po, ia ktheu gruaja. Atëherë Profeti i tha: “Xhenet i ruajtur (garantuar).” [10]
Po ashtu, përcillet nga Ebu Dherri se ka Dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë: “Nuk do të ketë asnjë çift musliman të cilëve u vdesin dy fëmijë apo tre -dhe ata durojnë e shpresojnë shpërblimin-, që t’i paraqitet zjarrit.” [11]
Vdekja e fëmijëve është shkak për hyrjen e prindërve të tyre në xhenet
Nga gjurmët e mëshirës së Allahut është se e ka bërë vdekjen e fëmijëve shkak për hyrjen e prindërve të tij musliman në Xhenet, dhe sa më i madh të jetë numri –duke qenë ata të duruar e të përmbajtur-, aq më i madh do të jetë nderimi dhe bujaria.
Përcillet se dikush prej sahabeve ka dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë: “Do t’i thuhet fëmijëve Ditën e Gjykimit: -Hyni në xhenet! Ata thonë: -Të presim sa të hynë baballarët dhe nënat tona. Atëherë Allahu do të thotë: “Ç’është me këta që nuk hynë?[12] Hyni në xhenet. Ata sërish do të thonë: -O Zot! Nënat dhe baballarët tanë! Atëherë do t’u thuhet: -Hyni ju dhe prindërit tuaj.” [13]
Përcillet nga Ebu Hurejre se disa gra erdhën tek Profeti salallahu alejhi ue selm dhe i thanë: -O i Dërguar Allahut, burrat e kanë marrë gjithë kohën tënde, ndaj lër për ne një ditë të vijmë të mësojmë prej fesë. Ai u la atyre një kohë, u foli dhe i këshilloi e ndër të tjera u tha: “Nuk ka ndonjë grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë për të perde penguese ndaj zjarrit”. Një grua i tha: -Po dy o i dërguar i Allahut, sepse mua më kanë vdekur dy fëmijë? Ai tha: “Edhe dy.” [14]
Po ashtu, Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo muslimani të cilit i vdesin tre fëmijë në vegjël, do ta takojnë atë në të tetë dyert e xhenetit që të hyjë nga të dojë.” [15]
Përgëzim ka edhe për atë të cilit i vdes një fëmijë i vetëm
Nga gjurmët e mëshirës së Allahut e cila ka përfshirë çdo gjë, është edhe përfshirja e prindit musliman të cilit i vdes një fëmijë i vetëm.
Xhabiri, radijallahu anhu, përcjell se ka dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem të thotë: "Kujt i vdesin tre fëmijë dhe ai bën durim duke shpresuar shpërblimin, do të hyjë në xhenet". Atë e pyetën: -Po atij që i vdesin dy fëmijë, o i Dërguar i Allahut? "Edhe atij që i vdesin dy fëmijë?" Thotë një nga transmetuesit: -Mendoj se nëse do ta pyesnit edhe për atë që i vdes një fëmijë, do të thoshte edhe për një fëmijë. Xhabiri tha: -Pasha Allahun, edhe unë kështu mendoj.[16]
Muadh bin Xhebel transmeton se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Pasha Atë në dorën e të cilit gjendet shpirti im, fëmija i dështuar[17] do ta tërheqë nënën e tij prej zorrëve për në xhenet, nëse ajo ka shpresuar shpërblimin." [18]
Profeti, salallahu alejhi ue selem, do të jetë ndërmjetësues për atë që nuk i ka vdekur fëmijë
Nga gjurmët e mëshirës së Tij është se ka përfshirë edhe ata të cilët nuk kanë mundur të kenë fëmijë që të mund të ndërmjetësojnë[19]. Kështu që, ata të cilët nuk do të kenë mundësi të ndërmjetësohet nga fëmijët e vdekur, do të kenë si ndërmjetësues Profetin, salallahu alejhi ue selem. Ibnu Abasi përcjell se ka dëgjuar Profetin, salallahu alejhi ue selem, të thotë: "Cilido nga umeti im që i ka dy fëmijë (të vdekur), do të hyjë në Xhenet." Aishja tha: -T’u bëftë kurban babai im, po ai i cili ka vetëm një? "Edhe ai që ka një, oj fatlumë." Po ata prej ymetit tënd që nuk kanë fare (fëmijë të vdekur)? Ai tha: "Unë do të jem paraprijësi i umetit tim, sepse ata nuk janë goditur me fatkeqësi më të madhe se largimi im." [20]
Çështje që kanë të bëjnë me gjithçka përmendëm më sipër
1. Atij që i vdesin tre fëmijë apo dy, do të jetë i shpëtuar nga zjarri i xhehenemit.
2. Atij që i vdesin tre fëmijë, dy apo dhe një, do të hyjë në xhenet. Atij që i kanë vdekur tre fëmijë, fëmijët do ta presin nga të teta dyert e xhenetit për të hyrë nga të dëshirojë, ndërsa ai të cilit i ka vdekur një, nga çdo derë që do të hyjë, do ta gjejë fëmijën e tij se e ka paraprirë dhe e pret në të.
3. Arritja e dobisë së prindërve nga ndërmjetësimi i fëmijëve është e kushtëzuar me qenien e tyre myslimanë dhe që fëmijët të kenë vdekur pa arritur moshën e pjekurisë.
4. A është i domosdoshëm për arritjen e ndërmjetësimit të tyre durimi dhe pritja e shpërblimit?
Në lidhje me këtë disa dijetarë janë të mendimit se nuk është kusht një gjë e tillë, për faktin se në shumicën e haditheve nuk gjendet dhe nuk përmendet ky kusht dhe ndoshta Profeti alejhi selam ia ka përmendur këtë grave për shkak se durimi tek ato është më i vogël dhe shpeshherë bien në veprime të papëlqyera, ndaj dhe me këtë fjalë ato stepen dhe largohen nga këto vepra dhe nuk është pra shprehje rreth së cilës përcaktohet gjykim.
Tekstet e mësipërme nxjerrin në pah mëshirën e madhe dhe të gjerë të Allahut ndaj robërve të Tij besimtarë, shpalosin mirësinë dhe bujarinë e madhe të Tij, po ashtu vënë theksin në shanset e shumta për të arritur mirësitë, në mënyrë që kur të dalin Ditën e Kiametit të jenë të qetë dhe të sigurt, të jenë larg nga zjarri dhe të gëzuar në mirësitë e xhenetit.
E lusim Allahun të na falë si pasojë e mëshirës dhe bujarisë së Tij, sepse ne nuk e kemi adhuruar ashtu sikur duhet!